Stamboll, arrestohen disa persona me rastin e protestave të 1 Majit

Policia turke arrestoi disa protestues sot në Stamboll, qytetin më të populluar në Turqi, të cilët ishin pjesë e grupeve të demonstruesve me rastin e Ditës së Punës, 1 majin. Ata u përpoqën për të kaluar në sheshin “Taksim”, në të cilin sot është ndaluar tubimi masiv, raporton Anadolu Agency (AA).

Një grup i protestuesve, të cilët mbanin flamurin e Partisë Komuniste, para monumentit të Republikës në “Taksim”, tentuan të mbajnë protesta në vende të cilat nuk janë të destinuara për tubime dhe demonstrata.

Njësitet policore kanë ndërhyrë për ta shpërndarë turmën, e cila u shpërnda përmes rrugëve anësore. Në një moment ka ardhur deri tek shtyrja në mes të policisë dhe demonstrueseve gjatë së cilës disa persona janë arrestuar. Në disa pjesë të Stambollit, Beshiktash, Kadikoy dhe Sheshin “Taksim”, janë intensifikuar masat e sigurisë për të shmangur incidentet.

Nga ana tjetër, një grup tjetër i protestuesve u përpoqën të hyjnë në sheshin “Beshiktash”, por u zmbrapsën nga policia, e cila përdori edhe gaz lotsjellës. Në qytete tjera të Turqisë, punëtorët, anëtarët e sindikatave të ndryshme tregtare, 1 majin e shënojnë me demonstrata paqësore, tubime dhe këngë.

Lajme të ngjashme

Back to top button