Erdogan pas dy javësh vizitë zyrtare në Tiranë

Presidenti turk Rrexhep Taip Erdogan do vizitojë Tiranën pas dy javësh, pikërisht më datën 13 maj. Kjo bëhet e ditur nga burime qeveritare, që thonë se kreu i shtetit turk do të shoqërohet në këtë vizitë zyrtare nga një grup biznesmenësh vendas.

Lajmi i kësaj vizitë vjen dy ditë pas një vizite të kryeministrit Rama në Stamboll, pas pjesëmarrjes së tij në një forum, por që në Tiranën politike ngjalli shumë debat duke u konsideruar jozyrtare dhe jotransparente për motivet, të pretenduara këto nga opozita.

Kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë, po të kihet parasysh kurba e raporteve me Turqinë të qeverisë Rama, teksa kryeministri nuk ngurroi ta konsideronte këtë vend si partnerin kryesor strategjik të Shqipërisë, fill pas morri pushtetin më 23 qershor.

Ky mesazh u përcoll dhe nga fakti se vizita e parë zyrtare e Ramës me një pjesë të kabinetit u krye pikërisht në Turqi. Por më pas diçka ndryshoi, Rama u afrua me Gjermaninë – e përfolura si sponsorizuesja kryesore e protestave anti-Erdogan në sheshin Taksim – ndërsa raportet me Ankaranë mbetën në nivelin e një “dashurie platonike”.

Kësaj i ndihu dhe anollimi i një vizite të planifikuar të Erdoganit në Shqipëri, aty nga vjeshta, që në fakt pati si shkak një aksident tragjik në një minierë në Turqi. Por gjithsesi vizita nuk u zhvillua, edhe pse ditët e javët kaluan.

E tashmë, Erdogan po rishfaqet sërish. Ndoshta për një rikthim aty ku u nis: te aleati kryesor strategjik, që në këto kohë të rënda krize përkthehet si ndihmëtari kryesor dhe real për ekonominë e shkalafitur shqiptare. /tesheshi

Lajme të ngjashme

Back to top button