Në Shqipëri sugjerohet: Burgim për zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë

Çdo zyrtar që nuk deklaron pasurinë apo nuk pranon të japë informacion për mënyrën e sigurimit të saj duhet të dënohet me burg dhe jo thjesht me gjobë.

Ky është sugjerimi i dhënë nga kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, dje në Komisionin e Ligjeve, gjatë raportimit të punës së bërë nga institucioni që ai drejton, për vitin 2014. Sipas Ganajt, dënimi vetëm me gjobë është një zgjidhje e lehtë për zyrtarët, të cilët sigurojnë të ardhura të mëdha pikërisht nga abuzimi me detyrën.

Ai informoi më tej në komision për punën e bërë gjatë vitit 2014, ku rezultojnë rreth 588 zyrtarë të gjobitur apo për të cilët është bërë kallëzim penal për mosdeklarim apo fshehje pasurie. E ndërkohë që në mbledhjen e komisionit nuk munguan as replikat, pas pyetjeve të demokratëve lidhur me procedurat e ndjekura nga ILDKPKI-ja për verifikimin e deklaratës së pasurisë të deputetit Ridvan Bode. Për ish-ministrin tashmë ka një kallëzim penal për fshehje të pasurisë. Ganaj kritikoi më tej standardet e dyfishta, që sipas tij, ndjek prokuroria, që procedon me disa dosje dhe mbyll disa të tjera, edhe pse nga ILDKPKI-ja mund të jenë evidentuar të njëjtat shkelje.
“Sot nuk ka akoma zyrtarë të dënuar për fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë.

Prokuroria për statistikat e saj të fëlliqura, që të thotë që e bëra dhe një gjyqtar, ose e bëra dhe një, që të mos vijë këtu pa gjë fare, 25 çështje i pushon dhe bën një çështje në Kavajë, një në Ersekë. Për statistika të fëlliqura se nuk ka shpjegim tjetër, nga prokurorë të korruptuar e të fëlliqur që po i vënë kazmën, jo vetëm institucionit tonë, por po i vënë kazmën gjithë vendit”, deklaroi dje Ganaj, duke mos e fshehur aspak pakënaqësinë nga organit të akuzës që sipas tij, nuk heton si duhet dosjet e dërguara pranë saj nga Inspektorati i Lartë. Kryeinspektori ka sjellë në vëmendje dhe deklarime, absurde sipas tij, për burimin e pasurive të mëdha të vëna nga zyrtarët./ koha

Lajme të ngjashme

Back to top button