Afaristë nga Korça për vizitë dyditore në komunën e Gostivarit

Një delegacion nga Bashkia e Korçës të Republikës së Shqipërisë të shoqëruar nga afaristë të suksesshëm korçarë, realizuan një vizitë dyditore në komunë e Gostivarit.

Në kuadër të vizitës, administratorët dhe afaristët korçarë nën shoqërimin e  përfaqësuesve të Zyrës për zhvillim ekonomik lokal pranë Komunës së Gostivarit, të dielën vizituan monumentet kulturore historike të qytetit si dhe burimin e lumit Vardar në fshatin Vërtok.

Të hënën, në mjediset e Komunë së Gostivarit, delegacionin nga Korça e priti kryetari Nevzat Bejta.

“Komuna e Gostivarit ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Bashkinë e Korçës dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke u zgjeruar në të gjitha fushat e jetës shoqërore, kulturore, arsimore, në ekonomi dhe fusha tjera. Shpresoj se në qytetin e Gostivarit keni kaluar mirë dhe se bashkëpunëtorët e mirë janë treguar mikpritës, gjë që edhe është karakteristikë e qytetit tonë”, theksoi mes tjerash kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

Mysafirët nga Korça iu falënderuan kryetarit Bejta për pritjen e ngrohtë duke shprehur bindjen se vizitat e ndërsjella ndërmjet korçarëve dhe gostivarasve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, e me këtë do të rritet edhe bashkëpunimi.

Komuna e Gostivarit dhe Bashkia e Korçës në kuadër të Progamit IPA  bashkëpunim ndërkufitar , janë fazë të realizimit të projektit të titulluar “Zhvillimi i produktit turistik të integruar për rritje të qëndrueshme ekonomike të rajonit të Gostivarit dhe Korçës” , projekt ky që do të zgjasë njëzet muaj.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button