Studentët e USHT-së realizuan vizitë kulturore në Republikën e Turqisë

Studentët dhe profesorët e Programit studimor të Sociologjisë, javën e kaluar realizuan një vizitë kulturore në Republikën e Turqisë.

Gjatë qëndrimit në Turqi, studentët e USHT-së dhe profesorët, të udhëhequr nga  Doc.dr.Qani Nesimi, e  vizituan Istambull Universitesi dhe Yildiz Universitesi, me ç’rast  u njohën me jetën akademike dhe veprimtarinë mësimore-shkencore që zhvillojnë universitetet e lartpërmendura.
Delegacioni i USHT-së, në këto universitete u prit nga Prof.dr. Hasan Alpak dhe Prof.dr. Alparslan Açikgenç, të cilët i informuan studentët e USHT-së me jetën studentore, kërkimet shkencore dhe kapacitetet kadrovike që posedojnë universitetet e tyre.

Po ashtu,  ata theksuan edhe vëmendjen e tyre që i kushtojnë bashkëpunimit me universitetet e huaja, në kuadrin e realizimit të projekteve të përbashkëta shkencore, këmbimit të stafit akademik dhe studentëve në mes universiteteve, si dhe një sërë aktivitetesh të tjera  me interes akademik. 

Doc. dr. Qani Nesimi, përfaqësuesit e universiteteve turke i njohu me historikun e Universitetit Shtetëror të Tetovës, rolin dhe prestigjin që ky universitet gëzon në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë, por edhe bashkëpunimin e frytshëm që USHT ka ngritur me disa universitete në Republikën e Turqisë.

Në kuadër të agjendës, delegacioni nga USHT-ja e vizitoi edhe Muzeun mbretëror “Dollmabaçe”, dhe u njoftua nga afër me mjediset,  historikun dhe arkitekturën e tij. 

Me nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim me universitetet nga Republika e Turqisë, USHT deri sot ka realizuar disa kongrese shkencore, simpoziume ndërkombëtare dhe vizita studimore të studentëve, të cilët mbi bazën e këtyre marrëveshjeve kanë kryer praktikën profesionale dhe specializime në fusha të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button