AK letër publike Bashës: Bojkotoni zgjedhjet lokale

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu publikoi sot letrën e hapur drejtuar z.Lulzim Basha, që Partia Demokratike të bojkotojë zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Me anë të kësaj letre kreu i AK-së, i bën thirrje Lulzim Bashës të ndërgjegjësohet që zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë të lira, të drejta dhe të barabarta pasi ato janë fituar pa rregulla loje në tavolinën e dyeshes Rama-Meta.

Sipas Spahiut, dekriminalizimi dhe lufta kundër mafies nuk do kenë sukses nëse një pjesë e opozitës shkon pa kushte në zgjedhje duke legjitimuar fitoren e së majtës.

“Sot është mision historik realizimi i shpërndarjes së Kuvendit dhe dekriminalizimi i sistemit pasi çdo pjesëmarrje në zgjedhje do ishte zhgënjimi dhe dështimi i gjithë frymës opozitare”,-citohet nga letra e AK-së.

Kreshnik Spahiu tha për mediat se; Aleanca KuqeZi ka një vizion ndryshe dhe sot shpall publikisht qëndrimin e saj zyrtar për zgjedhjet e 21 qershorit.

Ai deklaroi se Aleanca KuqeZi mbetet ende e vetmja forcë politike që refuzon koalicionet pa kushte me dy partitë kryesore në Shqipëri dhe i bëri thirrje të gjithë faktorëve opozitarë të mos hyjnë në garën zgjedhore nëse nuk realizohen:

1) Arrestimi i të gjithë deputetëve të dėnuar për krime dhe që kërkohen nga Interpoli

2) Ndryshimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura për këshilltarët bashkiak dhe kontrolli i pastërtisë i kandidaturave për kryetar Bashkie

3) Ndryshimi i hartës së re elektorale duke ruajtur në mënyrë të drejtë balancat e numrit të popullsisë dhe vlerat historiko-kulturore

4) Shpërndarja e parlamentit e cila përbëhet nga element kriminal dhe hetimi i tyre

5) Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme me një afat 6 mujor për reformimin e Kodit zgjedhor dhe hartës elektorale

6) Miratimi i të drejtës së 2 milion emigrantëve për të votuar online
atje ku punojnė dhe jetojnë

7) Garantimi i mekanizmit të numërimit të votës dhe përfaqësimit të çdo subjekti politik që të numëroj votat e saj

8) Realizimi i zgjedhjeve lokale me sistem balotazhi

9) Zbardhja e financimeve miliona eurove të pista në fushatë elektorale dhe burgosja e blerësve të votave të 23 qershorit

10) Aplikimi i testit të drogës për të gjithë përfaqësuesit e pushtetitlokal dhe qëndror

“Aleanca KuqeZi e fton Partinë Demokratike t’i bashkohet bojkotit popullor dhe të ndërgjegjësohet se çdo pjesëmarrje pa këto 10 kushte do ishte fatale për opozitën shqiptare në tërësi”,-bën me dije Spahiu.

Sipas tij, hyrja e PD në Kuvend e bëri bashkëfajtore dhe çdo pjesëmarrje pa kushte në zgjedhjet lokale do e bëj atë jo vetëm humbëse, por legjitimuese të pushtetit mafioz Rama-Meta pas 21 Qershorit.

“Alternativa kuqeZi është racionale, paqësore dhe qartazi e suksesshme për të çuar Shqipërinë drejt rotacionit politik”, thai ai.

Ndër të tjera, lideri i Ak-së, bëri me dije se do të ishte shumë vonë nëse PD do ta kuptonte, shikonte këtë vizion pas 22 qershorit, mëngjesi i së cilës do jetë shumë i hidhur për Shqipërinë. /Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button