Miratohet Qeveria e re ‘Rama’, fjalimi i tij trembi opozitën (VIDEO)

Ky votim me 82 vota pro, i hap kështu rrugën betimit para Presidentit, të kabinetit të ri qeveritar. Jashtë sallës së Parlamentit, pas votimit, kryetari i komanduar i grupit kuvendor demokrat Edi Paloka akuzoi kryeministrin Rama se ka kërcënuar opozitën

“Rama po kërkon të poshtërojë opozitën. Ajo që ndodhi në fund të seancës ishte shumë e rëndë. Të gjithë ju e patë që Rama kërcënoi opozitën me fjalët: ‘Ende nuk e dini cfarë është dhuna’. Ky është Edi Rama. Dhunës së Ramës ne do t’i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë”, tha Paloka.

Në votim nuk morën pjesë deputeti Sali Berisha dhe Vangjel Dule.

Rama: Gati për bashkëpunim me opozitën  

Kryeministri Edi Rama në fjalimin që mbajti në Kuvend para votimit të kabinetit të ri deklaroi se opozita recitoi të njëjtat akuza dhe qëndrime ndaj programit, ndërsa përqendrimi i saj ishte sipërfaqësor dhe nuk diskutoi për thelbin e tij.

Megjithatë Rama ftoi të opozitën që në komisionet parlamentare të diskutohen, rrihen se bashku mendimet për arritjen e reformave kryesore që do të çojnë në zhvillimin e vendit.

“Ne duam që të identifikojmë së bashku një politikë të re gjithëpërfshirëse për pronën dhe t’i japim kësaj çështje një zgjidhje sa më parë”, tha Rama, duke theksuar se një sërë çështjesh të tjera kërkojnë të mbërrijnë në finish.

Rama theksoi se e gjithe ajo sajese e shemtuar ne lidhje me ate qe u konsiderua si mosrespektim i figures se Ibrahim Rugoves gjate vizites se tij ne Prishtine, ishte krijuar ketu ne Tirane, per qellime te caktuara.

Sequi: BE-ja mbështet kabinetin e ri qeveritar

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, disa minuta pas votimit të qeverisë së re, garantoi mbështetjen e BE-së në përpjekjet e kabinetit të ri qeveritar për ndryshimin e vendit.

“Dua të uroj kryeministrin dhe kabinetin e ri qeveritar lidhur me sfidat e ndryshimit për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar. Rrjedhimisht, rruga drejt Brukselit do të jetë më e shkurtër për popullin shqiptar”, deklaroi Sequi.

Ambasadori i BE-së në vendin tonë shtoi: “Mendimi im i parë pas kësaj maratone është për pritshmëritë që ka populli shqiptar.”

“Dua të siguroj kryeministrin e ri për mbështetjen e BE-së në përpjekjet për ndryshimin e vendit. Këtë mbështetje do e marrë që nesër në vizitën që do bëjë në Bruksel”, tha Sequi.

Basha: Kjo qeveri, pa program pune

Pas votimit në Kuvend të Qeverisë së re ka reaguar në rrjetin social Facebook, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Qeveria e Ramës kaloi sot në Kuvend të ashtuquajturin program të saj me numrat që ka në Kuvend. Por mbeti në klasë në provën e gjykimit të shëndoshë dhe profesional të opozitës. Kjo është e para qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështetur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afate”, shkruan Basha.

Sipas tij, ‘kjo është e para qeveri që tërhiqet pa filluar punë akoma nga një numër i madh premtimesh të votuara, duke vendour që tani me qytetarët dhe me dinjitetin e tyre raportin e gënjeshtrës dhe mashtrimit pa dridhje qerpiku. Unë besoj se në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtuquajturës rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota”, shkruan më tej Basha.

Po ashtu Basha premton se “nuk do t’i japim asnjë minutë paqe kësaj qeverie për gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj elektorale, si dhe për për çdo tundim apo provë të saj për të zhbërë arritjet demokratike”. /TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button