“Tradita” përkujton kolosët e kombit, Nolin, Gurakuqin e Konicën
Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova, organizon akademi përkujtimore kushtuar tre kolosëve të kombit: Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Faik Konica. Akademia do të mbahet më sonte më (27 mars) në orën 18:00, në Teatrin e Fakultetit të Arteve të USHT-së, (Qendra për kulturë në Tetovë).
“Duke u nisur nga fakti se pikërisht në muajin mars 2015, përkojnë tri data të rëndësishme, edhe atë: 50 vjetori i ndarjes nga jeta të Fan Nolit (13 mars 1965); 90 vjetori i atentatit ndaj Luigj Gurakuqit (2 mars 1925) dhe 140 vjetori i lindjes së Faik Konicës (15 mars 1875), ne si shoqatë vendosëm që në përfundim të muajit mars të këtij viti, më 27 mars 2015, të organizojmë një akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së kolosëve të lartpërmendur”, thonë organizatorët.
Në akademi do të marrin pjesë studiues, njohës të mirëfilltë të cilët do të referojnë për jetën, kontributin dhe veprën e Nolit, Gurakuqit dhe Konicës. Në programin e akademisë është paraparë të mbahet edhe një program artistik dhe i njëjti do të realizohet nga artistë të spikatur të skenës sonë.