Salihu: “Me Sejdiun do ta ringjallim KM Çair”

Klubi i mundjes Çair ka disa ditë që po drejtohet nga legjenda e mundjes shqiptare, Shaban Sejdiu. Ai ka projektuar një plan afat gjatë dhe e njëjta pritet të përkrahet nga Komuna e Çairit si dhe nga afaristët shqiptar. 

Sejdiu ka ofruar emra të njohur në kryesi si ish-mundësit: Shaip Bajrami, Ferat Ramadani, Hamdi Adili, Arif Sinani si dhe trajnerin Avdyl Salihu. Me këtë të fundit Shaban Sejdiu ka punuar edhe në klubin e mundjes “Hedis”, ku për një kohë të shkurtër patën arritur rezultate impozante. 

“Të punosh me legjendën e mundjes Shaban Sejdiu është privilegj për mua. Ai din të menaxhoj klubin duke i mundësuar mundësve kushte optimale për punë dhe normal të njëjtat gjithnjë janë profesionale. Edhe në klubin e Çairit, Sejdiu më ka besuar postin e trajnerit kështu që së bashku mendoj se do të arrijmë suksese”, deklaroi Salihu, duke shtuar se mbështetje kanë edhe nga Komuna e Çairit. “Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjithnjë ka qen afër sportistëve, kështu që puna e tij tregon me mbështetjen që i ka bërë disa klubeve ndër to KF Shkupi, KM Liria, KB Liria, KK Forca e tjerë. Besoj se edhe ne do jemi pjesë e këtij rrethi kurse ne si klub premtojmë se do jemi ambasador i kësaj Komune kudo që paraqitemi”, potencoi trajneri Avdyl Salihu. 

Ndryshe, ai shton se mundja ka nevojë për ma shumë bashkëpunim ndërmjet klubeve shqiptare. “Fatkeqësisht ka shumë pak bashkëpunim ndërmjet klubeve shqiptare, arsyet janë të shumta, por unë do të mundohem që të shkatërroj këtë veti negative dhe do të ofroj bashkëpunim, pasi vetëm të bashkuar do të jemi më të fortë kudo që paraqitemi”, përfundoi Salihu./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button