Ahmeti dhe Thaçi u takuan me ambasadorë të vendeve anëtare të OSBE-së

Kryetarët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi,mbrëmë në zyren e Misionit të OSBE-së në Tetovë u takuan me ambasadorë të vendeve-anëtare të OSBE-së. Sipas dy liderëve partiakë, tema kryesore për bisedë kanë qenë situatat aktuale në vend dhe rajon, me theks të posaçëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e Maqedonisë me fqinjët dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend.

“Rajoni në tërësi është në drejtim të mirë për instalimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë, por ai ende nuk i ka shmangur të gjitha rreziqet të cilat në Ballkanin Perëndimor përsëriten në mënyrë ciklike, posaçërisht nëse rajoni del nga fokusi i bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash SHBA-së, BE-së dhe NATO-s. Rajoni ende ka nevojë që në të të investohet dhe të punohet në instalimin e vlerave të mira të cilat neve na afrojnë drejt BE-së dhe NATO-s dhe të krijojmë ura të komunikimit mes vendeve në rajon”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi deklaroi se është saktë se nuk ka rreziqe nga konflikte të mundshme në rajon, por bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e pranishme këtu që ata të na mësojnë në standardet dhe vlerat, të cilat të gjithë ne synojmë t’i arrijmë. Lidhur me problemet e fundit mes Maqedonisë dhe Kosovës, Ahmeti tha se Shkupi dhe Prishtina janë në komunikim të vazhdueshëm të ndërsjellë dhe se pret shumë shpejtë që ky problem të zgjidhet.

Për Thaçin, qartë është se problemi do të zgjidhet, por se “BDI-ja nuk ekziston si parti politike në pushtet”.
Lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, lideri i PDSH-së Thaçi e përsëriti qëndrimin se për partinë e tij Marrëveshja e Ohrit është humbje kohë dhe se platforma e tyre është plotësimi me dy momente të reja – vendosje konsensuale përmes Paralmentit dydhomësh dhe ndarje buxhetore adekuate për të gjithë qytetarët e shtetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button