Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet e OBI

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), Ekmeleddin Ihsanoglu.

Sipas komunikatës së MPJ-së, Hoxhaj e ka njoftuar Ihsanoglun për progresin që po arrihet në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe avancimin subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

Hoxhaj e ka falënderuar Ihsanoglun për angazhimin e tij në rritjen e numrit të njohjeve, duke kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme për njohje të reja nga ana e të gjitha shteteve anëtare të kësaj organizate.

“Tashmë nuk kanë asnjë arsye politike apo legale që të mos e njohin Republikën e Kosovës, duke iu referuar faktit se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës është i pandalshëm dhe me një gjeografi globale”, ka thënë Hoxhaj.

Ihsanoglu ka siguruar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e kësaj organizate në përmbylljen e procesit të njohjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button