Në Shkup gjatë vikendit 44 aksidente, dy me lëndime të rënda

Gjatë vikendit në rajonin e Qytetit të Shkupit kanë ndodhur 44 aksidente dy prej të cilëve me lëndime të rënda trupore. Dy aksidente kanë ndodhur dje. Një në orën 01:15 në bulevardin “Kiro Gligorov” ku lëndime të rënda ka pësuar një drejtues i motorit, ndërsa i dyti në orën 18:10 në bulevardin “Sllovenia” ku janë përplasur tre automjete. Në këtë aksident lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy shoferë dhe një bashkudhëtar, ndërsa lëndime më të lehta kanë pësuar dy bashkudhëtarë. Në nëntë aksidentet e tjera që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme ka dëme materiale.

Të shtunën është kryer ekspertizë në 12 aksidente ku tetë janë me pasoja dëme materiale dhe katër me pasoja lëndime trupore. Lëndime të lehta trupore kanë pësuar tre shoferë të automjeteve, një bashkudhëtar dhe një çiklist si dhe një drejtues i mopedit. Të premten kanë ndodhur 19 aksidente. Prej tyre, 10 janë me pasoja dëme materiale dhe nëntë me lëndime trupore. Me lëndime të lehta trupore janë pesë shoferë të automjeteve, pesë bashkudhëtarë, dy këmbësor dhe një çiklist. Policia e komunikacionit gjatë vikendit ka sanksionuar 32 shoferë të cilët kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, 64 shoferë që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e lejuar, 16 shoferë të cilët kanë kaluar në semafor të kuq, 20 shoferë të cilët kanë përdorur celularin derisa kanë drejtuar automjetin ose nuk e kanë vendosur rripin e sigurimit dhe 16 këmbësorë të cilët kanë kryer shkelje në baza të ndryshme.

Automjeti special “karrotreci” ka larguar 113 automjete të cilët kanë penguar qarkullimin normal të komunikacionit. Pritet që komunikacioni sot të zhvillohet rrjedhshëm pasi nuk ka të paralajmëruara ngjarje të jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button