Normailzohet situata në Oktis të Strugës

 

Situata në fshatin Oktis të komunës së Strugës  pas incidentit të djeshëm lidhur me ndërtimin e një kishe në këtë fshat tashmë është qetësuar dhe banorët e kësaj zone e kanë lënë këtë çështje në dorë të institucioneve shtetërore.

Vendimtare ka rezultuar prania e kryetarit të komunës së Strugës Ziadin Sela, ministrit të pushtetit lokal Tahir Hani, myftiut të Strugës si dhe peshkopit Timotej të cilët kanë parandaluar një incident që mund të kishte pasoja serioze.

Gjendja në Oktis tashmë është normalizuar dhe epilogu i kësaj situate do të bëhet i ditur gjatë kësaj jave, ku ashtu siç u paralajmërua do të realizohet një takim mes kryetarit të komunës Ziadin Sela, peshkopit Timotej si dhe palëve të involvuara në këtë mosmarrëveshje.

Konflikti mes banorëve mysliman dhe atyre ortodoks ka lindur si pasojë e fillimit të punimeve për ndërtimin e një kishe në fshatin Oktis të Strugës i cili është i dominuar nga popullsi me përkatësi fetare islame, që dje kanë dalë në shesh për të parandaluar fillimin e punimeve për ndërtimin e kishës, ndërsa në fshat kanë ardhur banorë të fshatrave përreth të komunitetit fetar ortodoks të cilët për të mbrojtur punimet për kishën janë konfrontuar me banorët e Oktisit. 

Gjatë ditës së djeshme në fshatin Oktis dhe rreth tij ka pasur forca të shtuara policore, por pas tejkalimit të situatës së tensionuar tashmë gjithçka i është kthyer normalitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button