Kokëdhima Berishës: Ke dështuar, do të humbasësh 5-0 në zonën time elektorale

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima i ka thënë ish kryeministrit të vendit, Sali Berisha se ka dështuar dhe se në betejën e ardhshme, në zgjedhjet e 21 qershorit do të humbasë 5 me 0 në zonën elektorale të deputetit Kokëdhima.

“Sali ti ke dështuar. Unë nuk dal nga politika se thua ti, por ti do të ikësh shumë shpejt. Unë do të jem këtu për shumë kohë, do të punoj por qytetarët dhe zhvillimin. Edhe në betejën e radhës, në zonën time do humbësh 5-0, ashtu siç do të humbësh në të gjithë Shqipërinë”,- tha sot Kokëdhima nga foltorja e Kuvendit.

Më herët ai deklaroi se kjo foltore është shndërruar në arenën e një konfliktualiteti dëshpërues, luftë destruktive që shpërdoron energjitë kombëtare në mënyrë të pajustifikuar. “Nuk kam dashur të merrem me këto skena të konfliktualiteti. Koha ime është e destinuar vetëm për punët e popullit. Dje u informova për shpifjen e radhës të Saliut dhe të të tijve. Saliu vetëm me shpifjet për mua ka konsumuar në këtë parlament më shumë se 25 orë diskutime e kush e di sa kilometra rreshta të shkruara në gazeta e rrjetet sociale”,- tha deputeti Kokëdhima.

Ai vijoi duke bërë me dije se është pasuruar në qeverinë e Sali Berishës e Fatos Nanos duke qenë kundërshtari i tyre.

“Unë jam pasuruar në qeverinë e Saliut e të Fatosit, duke qenë përherë kundërshtari i tyre. Aleatët tuaj në pushtet ishin mjerimi dhe varfëria e popullit. Unë i qëndrova besnik qytetarëve, interesit publik e kombëtar. Asnjëherë nuk më mposhtët dot. Ti erdhe në politikë i varfët dhe i thirre të tjerët nga emigracioni të pasurohen në kurriz të popullit shqiptar. Unë erdha në politikë i pasur dhe jo për të bërë pasuri për vete. Unë nuk kam frikë nga asnjë gjë dhe nga askush, ti ke frikë nga të gjitha ato që bërë në pushtet”,- akuzoi ish Kryeministrin Berisha deputeti Koço Kokëdhima.

Duke iu referuar pretendimeve të PD-së në lidhje me përfitimet e kompanisë që drejtohej nga deputeti socialist, Abissnet, Kokëdhima bëri me dije se që nga dita që ai është shpallur deputet nga KQZ dhe deri kur kjo kompani është shitur, deputeti nuk ka bërë asnjë kontratë as me institucionet shtetërore dhe as me pushtetin vendor.

Nga ana e tij Berisha i përmendi Kokëdhimës ish sekretarin e tij Agron Cane, i cili u arrestua pasi i kërkoi seks me vajzën e mitur një gruaje, e cila i kishte kërkuar punë.

Për këtë u kundërpërgjigj deputeti socialist, i cili tha: “Mua nuk më zë turpi për ndonjë shkelje që mund të bëjë në jetën e tij ndonjë punonjës i imi. Ashtu siç nuk kam ndonjë detyrim ti jap llogari Saliut se kujt ia shes pasuritë e mia”.

Ai u shpreh se nuk bie në moçalin e z. Berisha, duke bërë atë që ka bërë demokrati, duke përgojuar fisin e Kokëdhimës e punët e tyre të bëra nën qeverisjen e Saliut.

“Nuk do të shpif as për ty e as për kundërshtarët e mi politikë. Nuk të them se je një plak i paaftë, sepse paaftësia mund të konsiderohet si e metë fizike, por për të gjitha zgjedhjet që ke bërë në këtë parlament, një vlerësim e ke hak të ta them: Sali, nuk je plak i lartë”,- përfundoi Koço Kokëdhima. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button