Çka duhet mësuar nga studentët?

Bojkoti i mësimit nga ana e studentëve të cilët shpallën autonominë u ndërpre, mirëpo studentët thonë se beteja u fitua por lufta vazhdon, ngase tani do të përgatitet një ligj i ri që do të hap pyetje të reja të cilat do të jenë të rëndësishme për studentët. Nga Plenumi i Studentëve thonë se tani që do të jenë edhe ata pjesëmarrës në formulimin e ligjit të ri, nuk do të lejojnë shkeljen e autonomisë.
Ajo që do të mbahet mend është mos-solidarizimi i kolegëve të tyre nga USHT-ja.

Ish ministri i arsimit, Aziz Pollozhani thotë se këmbëngulja për diçka që i beson dhe realizimi i një hapi drejt një qëllimi  padyshim që është një sukses në rrugën e ambicieve legjitime rinore

“Kjo vërteton aksiomën qe  ‘e tashmja po ashtu edhe e ardhmja i takon rinise’. Këmbëngulja për diçka që i beson dhe realizimi i një hapi drejt një qëllimi  padyshim që është një sukses në rrugën e ambicieve legjitime rinore por sukses i plot do të jetë  atëherë kur gjithë kjo energji rinore do të behej pjesë e zgjidhjeve ligjore që do të garantonin një arsimim më cilësor për ju , rininë dhe një perspektive më të qartë ,shpresëdhënëse në vendin tuaj,pa pasur nevojë që atë ta kërkoni jashtë”, tha për Portalb, Pollozhani.

Ish zëvendës drejtori i Byrosë për Zhvillimit të Arsimit, njekohësisht edhe profesor universitar, Zeqir Kadriu thotë se pas një odiseade disa ditëshe  plenumi i studentëve e mbylli aktivitetin e vetë ,me pretekst se ka gjetur mirëkuptim për ligjin e ri për arsim që duhet të sillet  në të ardhmen gjithnjë në bashkëpunim me  forumin e studentëve dhe Plenumin e profesorëve.

“Kjo flet qartë se pushtetit aktual në mënyrë dinjitoze iu përgjigj Forumi I studentëve  I cili kësaj radhe me këmbëngulësi ia doli gjer në fund dhe i tregoi haptas pushtetit aktual,në këtë rast MASH në R.e Maqedonisë se nuk do të pranojë çfarëdolloj imponimi dhe kontrolli nga jashtë për të verifikuar dijet e tyre. Sipas mendimit tim,studentët janë një alternativ e fuqishme që nuk pranojnë impenjime të ndryshme dhe janë të gatshëm si fuqi  E “shtatë” të jenë në nivel me të gjithë arsenalin e tyre për punë edhe më të mëdha se kjo! Ky shembull na inkurajon e na bën më të vetëdijshëm se këmbëngulësia për të drejtën, është arsenali më I fuqishëm që gjithmonë duhet kërkuar kur e lyp nevoja. Studentët  në rastin konkret me shumë vigjilencë u deklaruan se kanë humbur besimin tek organet e shtetit”, tha për Portalb, Zeqiri.

Ai shtoi se me një fjalë kësaj radhe doli fitimtare ideja e pavarësisë së studentëve të cilët me vetëdijen më të lartë njëkohësisht mbrojtën edhe dinjitetin e profesorëve të tyre,në një situatë ku pushteti dëshironte të kishte çdo gjë në kontrollin e tij.

“Guximi dhe vendosmëria e studentëve kësaj radhe dëshmoi pjekurinë e tyre e cila është shumë indikative për një shoqëri demokratike. Leksionin që morri kësaj radhe MASH,ose thënë thjeshtë njeriu I parë i qeverisë së  R. së Maqedonisë (që na doli”ekspert” për çdo gjë),flet  se ne me t,u bashkuar do të jemi më të fortë dhe të pathyeshëm për t,i bërë ballë çdo lloj diktature!”, shtoi Zeqiri.

Edhe ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se fitorja e studentëve është shumë e rëndësishme edhe në raport me mentalitetin aktual despotik dhe në raport me të gjitha mendjet despotike që do të synojnë pushtetin politik

“Vlerësoj që është shumë e rëndësishme fitorja e studentëve, jo vetëm në raport me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës por edhe në raport me mentalitetin aktual despotik dhe në raport me të gjitha mendjet despotike që do të synojnë pushtetin politik. Në këtë kontekst është zgjimi i studenteve është rast i ndritur. Ky guxim, besoj se do të përcillet edhe më gjerë. E përsëris atë qe e kam thënë disa herë: Nuk është problem kur studentet protestojnë, problem është kur ata nuk protestojnë dhe janë indiferent ndaj fenomeneve shoqërore”, tha për Portalb, Rushiti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button