Miliona për sfidën e shekullit

Përballja e shekullit do të zhvillohet. Floyd Mayweather dhe Many Pacquiao do të ndeshen në datën 2 Maj në Las Vegas për ndeshjen më të pasur të historisë së boksit. Marrëveshja është arritur dhe sipas të dhënave mediatike, të ardhurat nga kjo sfidë llogariten deri në 250 milionë dollarë, por një klauzolë interesante është edhe ajo ku është shtuar një përballje shtesë gjatë muajve të vjeshtës.

Sfida e parë do të jetë unikale në llojin e saj sepse për herë të parë që prej vitit 2002 kur u ndeshën Mike Tyson e Lennox Lewis, të drejtat e transfetimit i kanë fituar dy televizione, ndërsa një biletë për në “MGM Grand Garden Arena” do të kushtojë mesatarisht 5 mijë Dollarë, për të mos llogaritur çmimet e kripura të hoteleve në qytetin e mëkatit një javë përpara ndeshjes.

Pacquiao ka rënë dakort që të përfitojë plot 100 milionë dollarë, ndërsa boksieri amerikan do të arkëtojë rreth 50 milionë më shumë.
Floyd Mayweather dhe Many Pacquiao janë dy anët e kundërta të një medaljeje dhe për këtë fakt, ata që e dashurojnë këtë sport janë të ndarë në dy kampe.

Amerikani njihet për famën e tij edhe si një njeri që jeton mes luksit, ndërsa filipinasi ka preferuar rrugën e politikës duke u zgjedhur në kongresin e vendit të tij të lindjes. Ata nuk e kanë parë asnjëherë njëri-tjetrin si kundërshtar në ring, por shpesh herë kanë shkëmbyer vështrimet në aktivitete të ndryshme.
Tashmë ka ardhur koha e së vërtetës për dy boksierët më të mirë të planetit në peshën Welterweight.

Lajme të ngjashme

Back to top button