Qendra e Gostivarit, me park dhe parking të ri

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, inspektoi fillimin e punimeve për rregullimin parter të oborrit të përbashkët te banesat kolektive pas qendrës tregtare “Barok”. 

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 800 metrash katrorë, pjesa dërmuese e të cilit do të shndërrohet në hapësirë të gjelbër. 

“Në bashkëpunim me banorët bëmë një plan të mirë për krijimin e një parku të bukur në qendër të qytetit. Në koordinim me banorët e banesave kolektive erdhëm në përfundim që 60 për qind e sipërfaqes të bëhet hapësirë e gjelbër që do të shërbejë si park, ndërsa 40 për qind të shndërrohet në parking. Do të thotë se çdo gjë që e bëjmë e bëjmë në koordinim me banorët lokalë. Ky investim do të kushtojë afro 1 milion denarë ose rreth 15 mijë euro. Do të shohim edhe në pjesët e banesave tjera kolektive në këtë pjesë të qytetit, të bëjmë rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra. Të gjitha punët bëhen në koordinim me qytetarët dhe në interes të tyre”, deklaroi Bejta. 

Investimi i ndërmarrë nga ana e Komunës së Gostivarit, është mirëpritur nga banorët lokalë. 

Ata vlerësuan se me realizimin e këtij projekti do të shmangen mbeturinat, pluhuri dhe tollovia që krijohej me parkimin e automjeteve nga jashtë, duke krijuar një mjedis të gjelbër dhe të pastër ekologjik.

Lajme të ngjashme

Back to top button