Luani bast: Inter mposht Juventusin

I ftuar special nga presidenti i “Pirelit”, Troke ti Provera, në cirkuitin e Monzës, ku u zhvilluan garat e vlefshme për Çmimin e Madh të Italisë, ka qenë dhe ish-sulmuesi i Interit, Ronaldo. Bashkë me të, garën e djeshme e kanë ndjekur dhe disa prej futbollistëve të Milanit dhe të Juventusit si Kaka, Robinho, De Jong, Tevez, Llorente, Govinco etj. “

Tradhtia” e konsumuar pas kalimit të “Fenomenit” te Milani (ku shënoi edhe gol në derbi) duket se është harruar nga presidenti i “Pirelit”, që në njëjtën kohë është edhe aksionar te klubi zikaltër. Interi shikon nga e ardhmja, i hapet botës duke i besuar projektit indonezian të Erik Tohirit. Lidhur me ndryshimin e pronësisë së klubit, që pritet të konkretizohet në ditët e ardhshme, braziliani është shprehur: “Dashuria që Moratti ka për Interin nuk do të zbehet kurrë. Ai është një njeri fantastik, për të cilin jam i bindur se do të qëndrojë gjithmonë në klub, ndoshta do shesë vetëm një pjesë të aksioneve. Personalisht ruaj një ndjenjë të veçantë për Interin dhe presidentin Morati. Kam kaluar vite të bukura në Milano dhe gjithmonë kthehem me nostalgji tek ky qytet”.

Ndeshja – Të shtunën do të zhvillohet superndeshja e javës së tretë Inter-Juventus. Për sa i përket kësaj sfide, Ronaldo bën parashikimin e tij, ndërsa shprehet “Do të jetë një klasike e shkëlqyer. Sipas mendimit tim, ndeshjen e fiton Interi. Zikaltrit kanë avantazhin që nuk do të luajnë në Kupat Europiane dhe do të përqendrohen vetëm te kampionati. Jam i bindur se ekipi i Maxarrit do interpretojë një sezon të shkëlqyer. Shoh që trajneri i ri punon shumë me ekipin, ndërsa ka si synim që të shkojë larg”.

Më pas, braziliani ka folur dhe për dashurinë tjetër të tij, Milani. Edhe si ish-lojtar i kësaj skuadre, braziliani e ka analizuar klubin kuqezi duke theksuar “Për sa i përket luftës së kampionatit, nuk duhet të harrojmë edhe Milanin, që është një skuadër tepër kompetitive dhe e përforcuar mirë në afatin kalimtar të verës. Dje, kam biseduar me Kakanë dhe ishte shumë i karikuar për të bërë një sezon në nivele të larta”.

Në fund, Ronaldo ndalet te “Zonja”, për të cilën ka deklaruar: “Për sa i përket fitimit të kampionatit, nuk duhet të harrojmë dhe Juventusin, që ka fituar dy kampionate radhazi dhe është një ekip me përbërje cilësore. Do të jetë një kampionat shumë i fortë. Më vjen mirë që shikoj në kampionatin italian që ka disa skuadra në luftë për titull. Kjo e zbukuron më shumë futbollin e këtij vendi”, përfundoi Ronaldo.

Lajme të ngjashme

Back to top button