Mbijetesa e familjes Xhaferi nga Bogovina, nën hapin e rënduar të të birit

Shtëpia me gurrëz gati se e anuar dhe një pullaz që vështirë mund të ndalojë shiun është streha e Familjes Xhaferi nga Bogovina e Tetovës. Në një ambient me dyer dhe dritare të vjetruara nga ku era dhe lagështia mund të hyjnë nga të duan, jeton familja katër anëtarëshe nga Bogovina.

Kryefamiljari Imërli Xhaferi, punon në ndërtimtari. Barra e mbijetesës shton peshën e saj, pas kalimit të një vere ku ofertat për punë nuk kanë qenë edhe aq të kënaqshme. 

Një ditë e zakontë për familjen Xhaferi, nuk mbart vetëm shqetësimin për të siguruar gjërat më elementare. Djaloshi 16 vjeçar, Besarti ka vështirësi për të ecur. Sytë e prindërve nuk shkëpusin shikim nga hapat e tij të cilët herë japin shpresë e herë shqetësim për të ardhmen e djalit të tyre. Besart Xhaferi që nga lindja ka probleme me nyjen e këmbës së majtë. Ai nuk mund të shëtis apo të vrapojë për ndonjë sport si fëmijët e tjerë.

Mbathjet për të nuk janë si të tjerëve. Besarti ka nevojë për këpucë ortopedike që janë të shtrenjta për të ardhurat e pakta të familjes Xhaferi.

“Kemi bërë gjithçka për ta shëruar djalin, kemi bredhur nëpër shumë spitale por, nuk ka mundur të bëhet më shumë. Pas një jete të kushtueshme nëpër spitale, gjithçka që mund të bëjnë prindërit e tij tani është që të sigurojnë këpucët ortopedike.” thotë babi Imërliu.

Ai thotë se ata këpucë që i ka pasur Besarti deri më tani, janë shkatërruar, ndërsa mundësi për të blerë tjera nuk kam.

Familja Xhaferi nga Bogovina, ndjen nevojën e një ndihmese më të madhe. Çdo ndihmë për këtë, ata e konsiderojnë një mundësi për një të ardhme më të sigurtë të djaloshit Besart Xhaferi, nxënës në shkollë të mesme. 

Lajme të ngjashme

Back to top button