Kosovarëve u jepen fatura “joligjore“ gjatë pagesës së taksës për hyrje në Maqedoni

Autoritetet doganore të Maqedonisë qytetarëve kosovarë që hyjnë në Maqedoni u japin fatura të thjeshta në këmbim të eurove që i marrin prej tyre, pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë që shtetasit e Kosovës të paguajnë gjatë hyrjes në Maqedoni. 

Një bllok-faturë e thjeshtë pa faturën fiskale i jepet të gjithë shtetasve të Kosovës që e paguajnë taksën kufitare prej 2, 5 dhe 20 euro, transmetojnë mediat e vendit. 

Skandali më i madh është se paratë paguhen në euro, ndërsa në faturë shkruhet valuta denarë. 

Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë theksojnë se kjo formë e aplikimit të taksave të tilla është skandaloze dhe duhet të hiqet menjëherë, për shkak se nuk ka asnjë transparencë dhe bëhet fjalë për shkelje ligjore në aspektin e tatimeve, edhe ata nga ana e një institucioni shtetëror. 

Faturat e tilla konsiderohen joformale, dhe janë hequr nga përdorimi zyrtar para 6 vitesh. Paratë shkojnë në konton e Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë, pasi që vula e vendosur është e këtij institucioni, ku evidentohen edhe pikat kufitare.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button