Bllokada kosovare do t’i rrëzojë çmimet e pemëve dhe perimeve, bujqit në panik!

Lufta e hapur tregtare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës krijoi panik te prodhuesit e pemëve dhe të perimeve. Ata kanë frikë se produktet e tyre jo vetëm që do të mbesin të pashitura, por se situata e këtillë do të ndikojë në zvogëlimin e çmimeve. Ata kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më parë, deri sa nuk janë mbledhur domatet e reja dhe mollët.

“Kjo është keq për të dyja vendet. Tregu kosovar për ne është i rëndësishëm për shkak se një pjesë të madhe të pemëve dhe të perimeve e eksportojmë në këtë treg. Sipas informatave tona, në këtë periudhë nuk ka eksport të madhe të perimeve, dhe kamionët që presin në kufi janë me produkte të përpunuara të perimeve. Por, për 10 ditë do ta kemi mbledhjen e dytë të domateve, për momentin janë duke u mbledhur specat industrialë, kornishonet, e poasht do të fillojë edhe mbledhja e mollëve. Bëhet fjalë për sasi të mëdha, dhe do të kemi problem, gjegjësisht dyer të mbyllura në një treg që është i rëndësishëm për ne. Prandaj, u apelojmë qeverive të dy vendeve që të ulen dhe të shohin se cili është shkaku që erdhi deri te kjo situatë dhe urgjentisht të gjendet zgjidhje, deri sa të arrijnë produktet e reja për eksport. Në të kundërtën, nëse edhe më tej ky treg mbetet i mbyllur për perimet tona, atëherë jo vetëm që një pjesë e perimeve të mbeten në vend, por kjo do t’i rrëzojë edhe çmimet, thotë Risto Vellkov, kryetar i Lidhjes rajonale të bujqve, për portalin “Faktor”.

I ngjashëm është edhe qëndrimi i biznesmenëve, që thonë se futja e masave të njëpasnjëshme nga ana e të dyja vendeve mund të vazhdojë deri në kohë të pacaktuar, ndërsa me këtë do të vuajë biznesi.

“Sido që të jetë, është keq që u fillua kjo luftë e hapur tregtare. Nuk është i mirë as vendimi i Qeverisë së Maqedonisë. Veprimi i Kosovës është në formën shkak-pasojë, me futjen e masës nga Maqedonia për import të kushtëzuar të grurit dhe miellit, dhe mund të pritej se do të na ndodhë kjo, të njëjtën mund të na e bëjë edhe ndonjë shtet tjetër. Dëmet do të jenë të mëdha për të dyja vendet, thotë Menderes Kuçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se në kohë të krizës nuk duhet të ndërmerren veprime të këtilla, dhe paralajmërojnë se nëse vazhdon lufta tregtare, atëherë më së shumti do të përfitojnë vendet eksportuese në Kosovë, si Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, të cilat lehtë mund t’i zëvendësojnë produktet e Maqedonisë në tregun kosovar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button