Serbia gjurmon kufirin me Kosovën në Kopaonik

E përditshmja e Beogradit, e njohur për pikëpamjet nacionaliste e hegjemoniste serbe, “Veçernje Novosti”, rikujtonte dje se Petar Stamboliq, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Titos në Jugosllavinë e kohës së tyre, për të siguruar postin, ia kishte bashkuar Leposaviqin Kosovës. Me këtë vështrim, ajo sikur mbështet një grafit të këtyre ditëve në Kopaonik, që sipas saj shënjon “tokën që i përket Serbisë”

Ndërsa në Serbi “po formoheshin krahina autonome si shtete në shtet”, shkruan kjo gazetë, Millovan Gjillas kishte refuzuar kërkesën që Dalmacia të kishte autonomi. Gjillash citohet të ketë thënë se “Dalmacia është pjesa më kroate e Kroacisë”. Në këtë mënyrë u anuluan kufijtë e Serbisë të 1918-es.

Dr Momçilo Pavlloviq, drejtor i Institutit për historinë bashkëkohore, thotë se Maqedonia u bë shtet duke hequr kufirin në mënyrë improvizuese. Sipas gazetës, serbët që mbetën brenda Maqedonisë dhe shkuan për t’u ankuar te Stamboliqi në Beograd, u arrestuan. Pastaj u bë Kushtetuta, e cila ua njihte republikave të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe bashkimin me popuj të tjerë. Kjo do të thoshte se Maqedonia mund të bashkohej me Bullgarinë, thotë Pavlloviq.

Gazeta shkruan se “me emrin e Petar Stamboliqit lidhet edhe shkëputja e një pjese të Rrethit të Rashkës dhe aneksimi Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë. Ndryshimi territorial në hapësirën e pjesës veriore të Kosovës u bë më 1959, ashtu që Mitrovicës iu aneksuan rrethet Leposaviq e Leshak, ku shumica janë serbë. Arsyetimi zyrtar thoshte se ky territor gravitonte nga Mitrovica për shkak të minierave…”

Më vonë Stamboliq kishte mohuar rolin e tij në këto ndryshime territoriale, duke ia atribuuar këtë Sllobodan Peneziqit – Kërcun “për të rritur numrin e serbëve në Krahinë”. Por “V. Novosti”, transmeton Koha.net, thotë se deri më tash nuk janë gjetur dokumente shtetërore të shkruara, sipas të cilave u zgjerua territori i Kosovës e Metohisë për 197 kilometra katrorë”.

Ndërkohë, më 1963 Kosova (e Metohia) avancohet nga provinca (oblast – serbisht) në krahinë (pokrajina – serbisht), rikujton gazeta, e cila vazhdon “Dy vjet pas Plenumit të Brioneve (korrik 1966 – sqarim yni) emri i Krahinës përgjysmohet. Prej tij eliminohet pjesa Metohi vetëm pse rikujton rrënjën e saj – pronë e kishës serbe… Ato ditë “Kosmetski shqiptari” (shqiptarët e Kosmetit) vendosën që në të ardhmen të quhen “Albanci” (shqiptarë), citon “Novosit” publicistin Pero Simiq.

“Tani, sipas “V. Novosti”, është aktuale nëse (siç shprehet kjo gazetë) vija administrative – kufiri në mes Kosovës e Serbisë në veri kalon nëpër maje të Kopaonikut, mbi skiatoren dhe hotelin, ngjitur me bazën ushtarake dhe Mauzoleun e Josif Pançiqit, apo nëpër greminën vështirë të kalueshme disa qindra metra më poshtë.

Në dokumentacion nga arsye të pashpjegueshme ndeshen të vijat administrative. Dyshohet se ndoshta është fjala për “fenomenin e flomasterit” (lloj lapsi – sqarim yni) i cili shfaqet edhe me rastin e vizatimit të hartës në Dejton”, shkruan gazeta.

Sipas kësaj gazete të Beogradit, Tito më 1945 e 1946 në intervistat për mediet e huaja fliste hapur se Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë do t’i bashkohet Shqipërisë. Pyetjes së gazetarit të “Associated Press” se çfarë do të ndodhë me këtë territor, Broz ishte përgjigjet:

– Varet se çfarë regjimi do të jetë në Shqipëri. Nëse vijnë në pushtet komunistët, ajo mund t’i bashkohet Shqipërisë.

Enver Hoxha në kujtimet e tij thekson se Tito në fund të vitit 1946 i kishte premtuar se Kosovën dhe territoret e tjera të Jugosllavisë ku jetojnë shqiptarët do t’ia linte Shqipërisë, dhe kështu të formohej Federata Ballkanike.

Edvard Kardel me rastin e vizitës në Moskë më 1947 i kishte paralajmëruar Stalinit se Kosova e Metohia do t’i jepen Shqipërisë.

Ky plan dështoi për shkak të Rezolutës së Informbyrosë.

* * *

Dikush, dikur, kishte provuar dhe ia kishte dalë që kufirin e veriut të Kosovës me Serbinë ‘ta vizatojë’ në maje të Pançiqit. Më vonë, para ngjarjeve në Kosovë, kjo ishte korrigjuar, Rashka e Leposaviqi bashkarisht kanë caktuar kufirin e saktë që e kishin verifikuar edhe organet kompetente shtetërore dhe që është regjistruar në kadastër dhe në dokumentet e tjera zyrtare. KFOR e di këtë dhe këtë e respekton, por as nga Prishtina nuk ka pasur kurrfarë kërkesash që të ndryshojë çfarëdo qoftë – pohon Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit, aktualisht kryetar i përkohshëm” – shkruan “Novosti”, sipas të cilës Jabllanoviq ka thënë se “Kopaoniku kurrë s’ka qenë pjesë e Kosovës deri sa Petar Stamboliq në vitet e pesëdhjeta ia bashkoi Kosovës këtë pjesë të bjeshkës bashkë me Leshakun, Vraçevën dhe një pjesë të mirë të Komunës së Leposviqit. Të gjitha përpjekjet e mëvonshme që kjo pjesë e Kosovës t’i kthehet Serbisë kanë dështuar, meqë as Beogradi, me gjithë kërkesat e Leposaviqit dhe të Leshakut, nuk ka treguar vullnet politik për një gjë të tillë”, shkruan kjo gazetë, e cila duket se tash e ka hallin se ku duhet të vendoset kufiri – në maje të Kopaonikut, a pak më poshtë.

Por “Veçernje Novosti” nuk përmend fare territorin e tri komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, të cilat sipas historianëve në janar të vitit 1945 iu shkëputën Kosovës në kundërshtim me vullnetin e tyre për të ulur numrin e shqiptarëve në të, dhe ia bashkuan Leshakun e Leposaviqin për të rritur numrin e serbëve, pra për të ndryshuar strukturën e popullsisë në favor të serbëve e dëm të shqiptarëve.

Lugina e Preshevës ka mbi 1250 kilometra katrorë dhe mbi 100 mijë banor.

“Lugina e Preshevës administrativisht ishte ndarë nga Kosova në vitin 1945 prej komunistëve jugosllavë në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviqin dhe Zubinpotokun, të cilat në atë kohë kishin popullsi shumicë sllave. Qëllimi i kësaj ndarje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tyre, si në aspektin politik, por edhe nacional”, shkruajnë ata. / Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button