Mbyllet përkohësisht gazeta “Zhurnal Plus”

Pas protestës disa-ditore redaksia e të përditshmes shqipe “Zhurnal plus” ka sjellë vendim për mbylljen e përkohshme të gazetës. Sipas paralajmërimit  të tyre, borxhi që e kanë institucionet e vendit, konkretisht i Ministrisë së Financave dhe i Agjencive të marketingut ndaj “Zhurnal plus” nga fillimi e deri më sot në total është rreth 100 mijë euro! 

“Kjo bllokadë kishte pasoja ndaj funksionimit të Redaksisë. Paralajmërimet tona se mediat shqipe janë ngushtë dhe larg hises që u takon hasi në vesh të shurdhër nga institucionet dhe politika, edhe pse në fund ndoshta e hëngrëm ne! Partia në pushtet VMRO-DPMNE e përkrahur, me “heshtje aktive” edhe nga BDI tani me plotë të drejtë po e rrumbullakon konceptin e mbylljes së mediave shqipe, duke mos na bind se pas tërë këtyre viteve, ata të kenë bërë diçka që mund te regjistrohet si përparim, së paku për mediat shqipe.” shkruhet mes tjerash në paralajmërimin e Zhurnal Plus.

Redaksia fajëson BDI-në dhe Ali Ahmetin për varfërim të mediave shqiptare.

“Ali Ahmeti ndoshta thotë dikush se ka bërë shumë për shqiptarët, por ka bërë shumë më shumë për veten. Dhe, në këto kushte të punës, me keqardhje e themi se lexuesi shqiptarë do të ngel me këtë kapacitet shkrimesh që kemi. E pranojmë, edhe atë pa fije turpi se ne gazetarët shqiptarë e kemi humbur misionin, por misionin e ka humbur edhe BDI dhe Ali Ahmeti.

Stafi jonë në vazhdimësi ngriti zërin kundër këtyre formave që vënë në zgrip fatin e mediave shqipe. Mediave shqiptare nuk u doli në ndihmë as edhe MO-ja e firmosur nga vetë subjektet shqiptare, pasi ata janë larg kulaçit të 25 përqindëshit, aq sa janë sipas regjistrimit të fundit” shkruhet mes tjerash në paralajmërimin e Zhurnal Plus. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button