Topalli nën ‘komandën’ e Dades, Berisha në asnjë komision

Konferenca e Kryetarëve miraton me konsensus emrat që do të përbëjnë kryesinë e Kuvendit, por dhe të gjitha strukturave të tij. Pas një debati që zgjati për mbi një orë, krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord për emrat që do të votohen të enjten.

Konsensusi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pohoi dje se “Me konsensus kemi rënë dakord për rendin e ditës. Në thelb është konstituimi i komisioneve të përhershme të Kuvendit me drejtimin e tyre, dhe përbërjen në përputhje me rregulloren. Po kështu do miratohet dhe përbërja e sekretariateve dhe delegacioneve të përhershme të Kuvendit dhe miratimi i zv./kryetarit të Kuvendit të propozuar nga mazhoranca, Vangjel Dule.” Kryetari i parlamentit nënvizoi se opozitës i është dhënë konsensus duke i dhënë drejtimin e 3 komisioneve pavarësisht se mazhoranca është ndjeshëm më e madhe se mazhoranca e parlamentit të kaluar. Lidhur me projektligjet e qeverisë “Berisha” të depozituara në Kuvend, Meta informoi se rendi i ditës për projektligjet që do të diskutohen do të merret pas konsultimit me Qeverinë. Sa i përket pjesëmarrjes në komisionet parlamentare të emrave si Berisha apo Topalli, Meta tha se: ”Të gjithë ata që kanë kërkuar të jenë në komisione, janë dhe sigurisht që do të jenë, emrat do të bëhen publik të enjten”. I pyetur për SHQUP-in, Meta tha se nuk është çështja më e rëndësishme, që shqetëson Ramën apo mazhorancën, pavarësisht nga problemet e kontestimet për vendimin në fjalë. “Jam i bindur se kjo mazhoranca është e prirur qartë drejt përmbushjes së axhendës europiane”, përfundoi ai.

Drejtuesit e komisioneve

Burimet nga subjektet politike pohojnë se është rënë dakord që Fatmir Xhafaj do të jetë në krye të Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike, ndërsa numri dy është deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, që sekretar i këtij komisioni do të jetë socialisti Armando Subashi. Komisioni për Integrimin Evropian do të drejtohet nga demokratja Majlinda Bregu në emër të dakordësisë mes palëve, që tre komisione të drejtohen nga opozita. Taulant Balla është numri dy në këtë komision, ndërsa deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, është sekretarja. Komisioni i Sigurisë i është besuar anëtarit të LSI-së, deputetit të PS-së, Spartak Braho. Mësohet se ai duhet të vendosë bashkëpunim të ngushtë me demokratin Flamur Noka, por dhe me sekretarin nga PS, Pirro Lutaj. Komisioni i Ekonomisë do të jetë nën drejtimin e Erjon Braçes me nënkryetar demokratin Sherefedin Shehun. Arta Dade do të drejtojë Komisionin për Politikën e Jashtme ndërkohë që numri dy i komisionit është demokrati, Aldo Bumçi. Mësohet se pjesë e Komisionit të Jashtëm do të jetë dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Eduart Shalsi është rënë dakord për tu votuar si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, ndërkohë nënkryetar do të jetë ish-ministri, Genc Ruli. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik do të drejtohet nga Genc Pollo me nënkryetar Alfred Pezën. Ndërkohë që Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka kryetare Albana Vokshin dhe nënkryetare Klodjana Spahiun. Është miratuar gjithashtu emri i Vangjel Dules si numri dy i Kuvendit, propozuar nga PS. Janë konfirmuar edhe emrat e socialistëve në delegacione. Kryetar i delegacionit parlamentar në BE do jetë deputeti Taulant Balla. Delegacionin shqiptar në Këshillin e Evropës do ta drejtojë zonja Valentina Leskaj, ndërsa atë në OSBE-së, Arta Dade. Namik Dokle do të jetë në krye delegacionit parlamentar të Detit të Zi, ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko do të jetë në krye të delegacionit parlamentar në NATO, shkruan shekulli.

Komisionet parlamentare

Komisioni për Çështjet Ligjore: Kryetar Fatmir Xhafaj (PS), nënkryetar Oert Bylykbashi (PD), sekretar Armando Subashi (PS)

Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Kryetar Erjon Braçe (PS), nënkryetar Sherefedin Shehu (PD), sekretar Anastas Angjeli (PS)

Komisioni për Politikën e Jashtme: Kryetare Arta Dade (PS), nënkryetar Aldo Bumçi (PD), sekretar Namik Dokle (PS)

Komisioni për Integrimin Evropian: Kryetare Majlinda Bregu (PD), nënkryetar Taulant Balla (PS), sekretare Monika Kryemadhi (LSI)

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese: Kryetar Eduard Shalsi (PS), nënkryetar Genc Ruli (PD), sekretar, Robert Bitri (LSI)

Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Kryetar Spartak Braho (LSI), nënkryetar Flamur Noka (PD), sekretar Pirro Lutaj (PS)

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Kryetar Genc Pollo (PD), nënkryetar Alfred Peza (PS), sekretare Mimoza Hafizi (PS).

Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Kryetare Albana Vokshi (PD), nënkryetare Klodiana Spahiu (PS), sekretar Vangjel Tavo (LSI).

Lajme të ngjashme

Back to top button