RDK: Rebalanci i buxhetit në Gostivar me pasoja për qytetarët

Këshilltarët e RDK-së, në Komunën e Gostivarit,  reagojnë kundër miratimit të rebalancit të buxhetit komunal, duke e vlerësuar rebalancin si dështimin serioz të një qeverisje lokale.

“Me këtë rebalanc u zvogëlua  buxheti komunal në pjesën e të hyrave buxhetore për 2,2 milion euro dhe u zvogëluan të dalat buxhetore për 3,4 milion euro. Ky zvogëlim i buxhetit i adresohet ekskluzivisht buxhetit bazë me çka gjatë vitit 2013 qytetarët e Gostivarit do të dëmtohen për 3,4 milion euro investime kapitale”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të RDK-së. 

Vërejtjet e këshilltarëve të RDK-së, shtrohen kryesisht, në pozicionin e të hyrave kapitale ku zvogëlimi është 44% gjegjësisht shuma prej 1 milion euro. Sipas tyre, ky dështim serioz i adresohet faktit që kjo udhëheqësi komunale ka dështuar në tërësi në procesin e shitblerjes legale të tokës ndërtimore dhe në arkëtimin e parave gjatë legalizimit të objekteve jo legale, me këtë  zvogëlohen të ardhurat tatimore për 15% gjegjësisht për 432 mijë euro.

“Ky dështim në arkëtimin e parave publike i adresohet shkatërrimit të burimeve humane të krijuara në mandatin 2009-2013 dhe mbi të gjitha miratimit të vendimit antiligjor për pranimin e avanseve joligjore që dikur qytetaret e manipuluar i paguan në NP Gostivar në falimentim. Si pasojë e këtij vendimi antiligjor të miratuar nga kjo udhëheqësi komunale jo legjitime qytetarët e ndershëm të Gostivarit do të kenë më pak investime kapitale në vlerë prej disa miliona euro”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të RDK-së.

 “Në situatën kurë nuk kishte asnjë argument për të kundërshtuar argumentet e këshilltarëve të RDK-së, Nevzat Bejta në mënyrë shumë primitive dhe vulgare ofendoi këshilltarët e RDK-së dhe në veçanti këshilltaren Bukurije Gashi-Iseini. Në shenjë proteste ndaj kësaj sjellje primitive dhe antinjerëzore këshilltarët e RDK-së në mënyre demonstrative lëshuan mbledhjen e 4 të Këshillit komunal të Gostivarit”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të RDK-së, në Komunën e Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button