Të punësuarit shqiptar në Agjencinë për Komunikime Elektronike numërohen në gishta
Të punësuarit shqiptar në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE) vazhdojnë të numërohen në gishta. Sipas të dhënave në këtë dikaster përqindja e përgjithshme e shqiptarëve nuk arrin as numrin 10. Nga ky Institucion vërtetojnë të dhënat e siguruara, por sipas tyre, agjencia nuk është e obliguar ta respektojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, transmeton Alsat.
“Punësimi dhe shpërndarja e të punësuarve në sektorët profesionale të Agjencisë, për momentin po bëhet në bazë të Ligjit për Marrëdhënie Pune sipas të cilit, Agjencia nuk është e obliguar që të vejë në përdorim parimin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të përfaqësuesve të bashkësive’, thuhet në njoftimin e AKE-së.
Të dhënat zyrtare të Agjencisë thonë se prej 138 të punësuarve, mezi gjejnë vendin 8 shqiptar që punojnë si referentë e bashkëpunëtorë të ndryshëm në nivele më të ulëta. Kjo përbën 5.79% të punësuarve. Përjashtim bën një post i vetëm udhëheqës në sektorin për punë juridike.
Numri i të punësuarve në AKE 138/8 shqiptar
Poste udhëheqëse 30/1 shqiptar
Poste jo udhëheqëse 108/7 shqiptar
Kryetari i komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike, organ ky që emërohet nga Kuvendi i Maqedonisë, është gjithashtu maqedonas, në këtë komision zë vend vetëm një shqiptar. Pikërisht ky komision bën edhe sistematizimin e agjencisë, ku nuk është i paraparë posti i zv/drejtorit. Alsat-M edhe kohë më parë alarmoi për përqindjen e ulët të shqiptarëve në këtë agjenci por nga ky dikaster refuzonin të dilnin me të dhëna duke përcjellë përgjegjësinë prej një të punësuari në tjetër.