Kuqezinjtë nga Tetova në tubim me përforcime
Shkëndija ka shënuar fillimin e përgatitjeve dimërore. Stafi teknik dhe futbollistët kishin tubimin e parë në vitin 2015, duke dëshiruar ndërmjet veti shëndet dhe suksese në vazhdim të kampionatit.
Në grumbullimin e parë ishin të pranishëm edhe përforcimet e reja Besir Demiri, Viktor Juffo, Stefan Ashkovski dhe Enes Azizi, ndërsa me arsye mungoi vetëm Stenio Junior i cili ekipit do t’i bashkohet nga 18-të janari. Stafi teknik në krye me Ardian Koznikun pasi u dëshiroi mirëseardhje futbollistëve, i njoftuan ata për planin e përgatitjeve.
Ekipi fillimisht do të punojë në Tetovë, kur ditët e para do të kalojnë me testime të ndryshme, ndërsa më pas ngadalë do të fillohet me akumulim të forcës fizike. Stafi teknik kërkoi nga futbollistët seriozitet dhe angazhim maksimal në punë, duke shpresuar se bashkarisht do të realizohen pritjet për vazhdimin e kampionatit.
“Sot është dita e parë e grumbullimit për përgatitjet e sezonit pranveror. Shpresoj që kryesia e ka bërë punën e vet me angazhimin e lojtarëve të rinj dhe lojtarëve që kemi ngelur. Tani jemi ne në rradhë që të bëjmë punën tonë, me përgatitje maksimale shpresoj të mbetemi pretendent për titullin e kampionit edhe në stinorin pranveror”, deklaroi para mediave zëvendës kapiteni i Shkëndijës, Muhamed Useini.
“Pra si që kemi paralajmëruar, sot më 13 janar fillojmë këtu në Tetovë. Do të qëndrojmë këtu deri më 25 janar, ndërsa më 26 janar udhëtojmë drejt Antalias së Turqisë. Atje do të jemi deri më 16 shkurt. Na pret një punë e madhe dhe ne jemi të gatshëm për të fillu me punë prej sot”, deklaroi shefi i stafit teknik Ardian Kozniku.