Shkëndija me fitore i mbyll miqësoret në Turqi
Testin e fundit në Turqi trajneri Qatip Osmani e nisi me dy përforcimet e janarit Musliun dhe Adilin si mbrojtës qendre, ndërsa në krahë të defanzivës operonin Bejtullai dhe Murati. Në portë standard Zahov, mesfusha organizohej nga Alimi e Fazllagiq, ndërsa para tyre më të avansuar nga e djathta në të majtë ishin reshtuar Radeski, Hasani e Junior. Sulmi për Ibraimin i cili shfrytëzoi mundësinë e parë për të shënuar kur në minutën e 8-të u tregua i shkathtë para portierit kundërshtar, duke vjedhur topin për ta dërguar më pas pa problem në rrjetë. Shkëndija vazhdoi të jetë ekipi më konkret në terren dhe saje lojës së qartë u humbën edhe disa mundësi të mira shënimi. Në minutën e 16-të dhe 24-t dy aksione të bukura, por porieri kundërshtar Bezotosnii fillimisht ndali tentimin e Juniorit, ndërsa më vonë edhe Ibraimit. Në minutën e33-të portieri i Qabalas ndal goditjen fluturimthi të Hasanit pas harkimit të Ibraimit, ndërsa ky i fundit në vazhdim ndalet me faul në zonë duke fituar penalti. Kapiteni rrit shifrat në 2:0 pasi ishte i saktë nga pika e bardhë.
Në fillim të pjesës së dytë trajneri Osmani në lojë inkuadroi Eminin në vend të Juniorit, ndërsa më vonë Totre morri vendin e Alimit. Pikërisht Alimi para se të lëshonte lojën u kanos drejt portës kundërshtare, ndërsa pak më vonë Radeski çoi topin mbi portë. Qabala provonte të imponojë lojën e saj, mirëpo nuk gjente hapsira në defanzivën e Shkëndijës gjithnjë të vendosur në vendin e duhur. Në minutën e 63-të Emini tenton portën, por goditja e tij kontrollohet nga portieri i azerëve. Deri në fund trajneri Osmani bëri më shumë zëvendësime, ndërsa Bojku kërkoi portën me goditje nga jashta zonës, por pa mundur të kalojë portierin e Qabalas. Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim, kështu që Shkëndija merr fitoren e dytë në Antalia.
Kuqezinjtë pas katër ndeshjeve përgatitore dhe ecurisë pozitive prej dy fitore, një barazimi dhe një humbje, të kënaqur mund të kthehen në Tetovë ku do të vazhdojnë punën deri në startin e gjysmëstinorit pranveror.