Shkëndija prezantoi tre prurjet e reja
Ka përfunduar pushimi dimëror për futbollistët e Shkëndijës, të cilët sot edhe zyrtarisht kanë shënuar startin e fazës përgatitore. Grumbullimi i parë i kuqezinjëve në vitin 2018 solli tre risi. Kryesia e klubit ka gjetur akordin për të angazhuar në skuadër Mevlan Adilin, Seladin Mustafin dhe Sabit Bilallin.
Mbrojtësi 23 vjeçar Mevlan Adili vjen nga FC UTA e Rumanisë, ndërsa praktikisht rikthehet te Shkëndija ku ishte 6 muajt e parë të vitit 2015. Ai firmos për 18 muajt e ardhshëm dhe pritet të risë konkurencën në repartin e mbrojtjes.
Portieri 24 vjeçar Seladin Mustafi ka nënshkruar për dy vite. Ka përvojë në Ligën e Parë të Maqedonisë kur ka luajtur me Renovën, për të cilët përveç kampionatit ka regjistruar edhe dy paraqitje në eliminatoret e UEFA Europa League. Një periudhë të shkurtër ishte pjesë e Llapit në Kosovë, ndërsa sezonin e fundit luajti me Teteksin.
Ndërkohë 20-të vjeçari Sabit Bilalli luan si mesfushor ofenziv, në kategoritë e reja ka qenë pjesë e Renovës dhe Dinamo Zagrebit, ndërsa me Shkëndijën ka firmosur kontratë tre vjeçare.
Trajneri Osmani u ka prezantuar futbollistëve planprogramin për fazën përgatitore, ndërsa duke besuar në formacionin që posedon paralajmëron se ekipi mund të angazhojë përforcim tjetër vetëm nëse në treg paraqitet ndonjë futbollistë shumë cilësorë. Në grumbullimin e parë munguan disa futbollistë të cilët me leje të stafit teknik skuadrës do t’i bashkangjitën ditët në vijim.
Ditët e para futbollistët do të kryejnë matjet dhe testet mjekësore, ndërsa nga 9 janari skuadra transferohet në Ohër. Faza e dytë dhe kryesore do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, ku përveç seancave të regullta stërvitore janë caktuar të luhen katër takime kontrolluese (22 janar Zurich, 26 janar Olimpik Doneck, 30 janar Dinamo Zagreb dhe 3 shkurt Qabala nga Azerbajxhan).