Saraçini pret përmirësim të gjendjes ekonomike në vend

Në gjysmën e dytë të këtij viti pritet përmirësim i gjendjes ekonomike në vend, kompanitë evropiane do t’i aktivizojnë porositë, me çka do të rritet prodhimi vendor dhe eksporti, ndërkaq do të ulet deficiti tregtar, tha sot ministri i ekonomisë, Valon Saraçini.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas shënimit të fillimit të projektit të ri për reforma në sektorin energjetik, Saraçini përmendi se Qeveria vazhdimisht ndërmerr masa për mbështetje të sektorit afarist.

“Vetëm në Ministrinë e Ekonomisë ka pesë programe për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por jashtëzakonisht efektive u treguan edhe linjat e lira kreditore nga Banka evropiane për investime, prej të cilave deri tani janë shfrytëzuar 78 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit pritet realizimi edhe i 22 milionëve eurove të tjera”, theksoi Saraçini.

Sipas tij, Maqedonia nuk ka probleme tregtare me Kosovën, arriti ta prolongojë për tre muaj vendosjen e taksave administrative për transportuesit.

Marrëveshje në këtë segment, siç tha Saraçini, ekzistojnë nga të dyja palët, por paraprin harmonizimi i tyre.

“Në gjysmën e dytë të shtatorit pres të tejkalohet edhe ky problem”, theksoi ministri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button