Abuzim seksual me pacienten, policia nis hetimet

Një video shokuese është publikuar në rrjetet sociale, ku dy të rinj shfaqen teksa abuzojnë seksualisht me një vajzë të re të shtrirë në shtratin e një spitali. Videoja qarkulloi në rrjetet sociale për disa orë dhe ngjalli indinjatë të thellë në opinion.

Në të duken qartë dy djem të rinj që abuzojnë me një vajzë, e cila duket se ka humbur ndjenjat. Ata qeshin dhe i zbulojnë asaj pjesët intime. Nuk dihet se ku është filmuar kjo video, por nga pamjet filmike të cilat nuk zgjasim më shumë se 50 sekonda janë të ngjashme me një ambient spitalor.

Ndërkohë që njëri prej djemve që regjistrojnë filmimin thonë “Jemi në spitalin Nënë Tereza”.

Video u hoq rreth orëve të mbrëmjes së djeshme nga You Tube, për shkak të përmbajtjes seksuale dhe lakuriqësisë, por disa sajte e kishin konvertuar dhe publikuar këtë video, që ne po e transmetojmë duke e censuruar. Për të policia ka nisur tashmë hetimet, ndërsa Ministra e Shëndetësisë ka ngritur një grup të posaçëm pune për verifikimin e vërtetësisë së saj dhe marrjen e masave ndaj autorëve dhe përgjegjësve të kësaj ngjarje të dënueshme.

MSH NGRE GRUP PUNE
Ministria e  Shëndetësisë ka reaguar pas videos së publikuar në rrjetet sociale dhe në disa prej mediave ku shfaqen disa persona që manifestojnë sjellje me natyrë seksuale, ndaj një shtetaseje të pa identifikuar, veprime këto, të cilat dyshohet se mund të kenë ndodhur në ambientet e Qendrës Spitalore Nënë Tereza.  Në një njoftim për mediat thuhet se ‘Ministria e Shëndetësisë dëshiron të bëj me dije për opinionin publik, se menjëherë pas njohjes me videon e publikuar sot [03/01/2015] pasdite në disa rrjete sociale dhe portale on-line të mediave shqiptare, ku aludohet për abuzim seksual nga disa të rinj me një paciente, – një akt i cili supozohet të ketë ndodhur në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, – me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, është ngritur një grup i posaçëm pune për verifikimin e vërtetësisë së kësaj videoje dhe marrjen e masave ndaj autorëve dhe përgjegjësve, nëse vërtetohet diçka e tillë’-thuhet në njoftim. Më tej njoftimi sqaron se ky grup pune kryesohet nga Zëvendësministrja Milva Ekonomi, ndërkohë që Ministri Beqaj ka kërkuar menjëherë ekspertizën e institucionit të Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes dhe kryerjen e ekspertizës së nevojshme hetimore. ‘Ministria e Shëndetësisë do të informojë në vijimësi për ecurinë e punës për verifikimin e vërtetësisë së kësaj videoje dhe masat e mëtejshme në këtë drejtim’-thuhet në njoftim.

POLICIA NIS HETIMET
Po kështu në një komunikatë për mediat Policia e Tiranës ka dhënë sqarime mbi videon e publikuar së fundi. Në këtë komunikatë thuhet se ‘Në vijim të publikimeve në mediat sociale të një video e cila prezantonte se disa persona manifestojnë sjellje me natyrë seksuale, ndaj një shtetaseje të pa identifikuar, veprime aktive të cilat dyshohet se mund të kenë ndodhur në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe të dëmtuarës nga kjo vepër penale. Hetimet kanë nisur për veprën penale “Ngacmim seksual e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 108/a paragrafi II-te i Kodit Penal. Materialet do t`i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor’/ BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button