Saraçini: Rritet ndjeshëm numri i kompanive që përdorin kredi të lira nga BMPZH-ja

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, së bashku me drejtorin gjeneral të Bankës së Maqedonisë për përkrahjen e zhvillimit (BMPZH) Dragan Martinovski, drejtorin operativ, Besim Bilalli dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Menderez Kuçi, sot vizituan bizneset në komunën e Bërvenicës që kanë shfrytëzuar kredi me shkallë të ulet interesit BMPZH-ja e që janë të dedikuara për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Kam kënaqësinë të jem këtu, në vizitë tek kompania ‘Pekon’, një nga disa disa subjekte biznesi që kanë përdorur kredi të favorshme nga BMPZH-ja.  ‘Pekon’ është një kompani që prodhon bukë, ëmbëlsira dhe produkte tjera nga mielli dhe përfaqëson një shembull të suksesshëm të përdorimit të kredive të ofruara nga shteti për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha ministri Saraçini, duke shtuar se kjo kompani deri më tani ka shfrytëzuar dy kredi – një në vlerë prej 147 mijë euro që është përdorur për blerjen e pajisjeve nga Italia, për të rritur kapacitetin e mullirit prej 36 tonë në 60-70 tonë në ditë, dhe kredia e dytë prej 100 mijë eurosh për blerjen e pajisjeve shtesë për prodhimin e bukës dhe të produkteve tjera.

Ndërkohë, duke shfrytëzuar këto kredi kompania ‘Pekon’ planifikon të rris prodhimin e bukës, kapaciteti i së cilës është 3,000 bukë në ditë dhe gati të dyfishojë kapacitetin e mullirit, që do të mundësojë modernizimin e procesit të prodhimit dhe zhvillimin e kompanisë.

“Me ndihmën e këtyre kredive hapen edhe vende të reja pune si dhe reparte të reja prodhuese. Nga linja e tretë kreditore nga Banka Europiane e Investimeve, në vlerë prej 100 milion euro, e miratuar në vitin 2012, janë ndarë  71.5 milion euro, dhe janë hapur 1.171 vende të reja pune. Prandaj dëshiroj që edhe një here të apeloj tek bizneset që të përdorin avantazhet e ofruara nga shteti, që në këtë rast janë kredi të favorshme nga BMPZH-ja,  e cila këtë muaj do të tërheq edhe 6.2 milion euro, me të cilat do të mbështesë 29 projekte”, informoi ministri Saraçini.

“Dua të shpreh kënaqësinë time për përkrahjen e vazhdueshme që kemi nga Ministria e Ekonomisë,  kryesisht nga ministri Saraçini në drejtim të informimit të vazhdueshëm të kompanive gjatë takimeve të rregullta që mban me komunitetin e biznesit, për të shfrytëzuar kredi të favorshme nga ne, sepse kushtet janë shumë të volitshme, dhe ky është qëllimi i qeverisë së Maqedonisë, të mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha drejtori Dragan Martinovski, drejtor gjeneral I Bankës së Maqedonisë për përkrahjen e zhvillimit.

Pronari  i kompanisë “Pekon“ Jusufzedi Ademi tha se në këto kohë të vështira, kreditë nga BMPZH-ja u kanë  ndihmuar shumë, dhe sa për ilustrim tregoi se në vitin 1996 kanë filluar me pune me 5 punonjës, ndërsa pas mbështetjes nga shteti kanë arritur të rrisin kapacitetin dhe tani kanë  40 të punësuar.

Sipas funksionimit të bizneseve në komunën e Bërvenicës, sidomos të kompanive të orientuara nga eksporti, konfirmohen parashikimet se gjysma e dytë e vitit 2013 do të jetë pozitive për ekonominë në Maqedoni.

“Argument për përmirësimin e gjendjes në eurozonë është rritja e PBV-së në tremujorin e dytë, që është hera e parë pas rrënies në gjashtë kuartalet e fundit. Ky është një sinjal i mirë për kompanitë e orientuara nga eksporti, sepse mbi 60 për qind e eksporteve tona realizohen me BE-në, dhe në këtë drejtim gëzon fakti se rritje më të madhe ka në Gjermani, që është partneri ynë më i madh tregtar”, deklaroi ministri Saraçini. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button