Moti i keq, bllokohen disa akse e komuna në Shqipëri

Moti i keq me reshje të dendura bore dhe shiu ka shkaktuar bllokimin e disa rrugëve kombëtare dhe rurale dhe ka nxjerrë në pah disa problematika edhe në qytetet kryesore të vendit.

Në Qafë-Plloç, një kamion ka rrëshqitur dhe ka bllokuar qarkullimin. Në qarkun e Korçës disa akse janë të pakalueshme dhe disa të tjera kalohen vetëm me zinxhirë. Kështu mësohet se akset Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë kalohen me zinxhirë.

Aksi rrugor Korçë-Pogradec kalohet vetëm me zinxhirë. Aksi Pogradec-Qafë-Thanë, shumë e vështirë për t’u kaluar, pasi dëbora varion nga 5 deri në 15 centimetra.

Ndërkohë në Librazhd, për shkak të motit të keq shumica e fshatrave janë pa energji elektrike, pasi janë shembur 20 shtylla të rrjetit të mesëm. Situatë problematike është edhe në aksin Librazhd-Qafë-Thanë. Aksi Pishkash-Prrenjas është i mbuluar nga ngricat. Aksi Librazhd-Steblevë është i bllokuar nga mbrëmja e djeshme. Në Qafë-Thanë vazhdon dëbora, qarkullohet me zinxhirë.

Nga ana tjetër Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se akset rrugore në Korçë, të kalueshme pjesërisht.

Akset rrugore në Korçë janë të kalueshme me zinxhirë. Në Llogora ka rreth 5 cm dëborë por situata nuk është problematike. Akset Berat, Vlorë dhe Gjirokastër nuk paraqesin probleme. Firmat po marrin masa për pastrime. Rruga e Kombit është e kalueshme në disa segmente”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në Fier, për shkak të shirave intensive, lumi Gjanica ka dalë nga shtrati. Janë përmbytur zyrat e Ujësjellës-Kanalizime Fier, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Punonjësit po nxjerrin ujin nga zyrat. Janë përmbytur edhe magazina, disa lokale, ndërkohë në shumë banesa ka prezencë uji.

Rrethi i Kukësit dhe ai i Hasi janë pa energji elektrike që prej orës 01:00. Shkak për ndërprerjen e energjisë është bërë një defekt në rrjetin 110 kË.
Grupet e riparimit po punojnë për të rregulluar defektin. Që prej ditës së djeshme nuk ka pasur më reshje dëbore por rrethi i Kukësit është përfshirë nga ngricat

Ndërkohë në Dibër bllokohet lëvizja në komunat Lurë dhe Kalaja e Dodës. Disa fshatra në qarkun e Dibrës janë izoluar nga dëbora. E bllokuar dhe komuna Trebisht në Bulqizë. Rruga Qafë Bualli-Peshkopi kalohet me vështirësi.

ARRSH-ja i bën thirrje drejtuesve të përdorin zinxhirët në zona me reshje dëbore. Firmat po marrin masa për pastrime në akset e tyre përkatëse./ BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button