Shtyhet gjykimi për vrasjen e maturantit maqedonas

Për shkak të angazhimeve të avokatit të të akuzuarit Naser.E për vrasjen e Angel Petkovski ishte shtyrë seanca gjyqësore për më 21 janar.

Ngjarja kishte ndodhur më 19 maj rreth orës 17 në afërsi të Spitalit evropian të syve në Shkup.
Ka pasur disa versione lidhur me vrasjen, ndërsa avokati i të dyshuarit shqiptarë kishte theksuar se Naser.E, nuk posedonte thikë dhe se ai ka mundur të vrasë të riun maqedonas gjatë vetëmbrojtjes dhe se ai ishte sulmuar fizikisht nga babai dhe viktima, të cilët e kishin ndjekur disa metra nga shtëpia e tyre, me dyshimin se gjoja i riu shqiptar po synonte grabitjen e një biciklete në oborrin e shtëpisë.

Versionet e ndryshme për vrasjen

Ngjarja tragjike ka ndodhur më 19 maj të këtij viti në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, kur në rrethana akoma të pasqaruara është therrë me thikë i riu maqedonas, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin edhe babai i tij dhe nga ana tjetër 19 vjeçari shqiptar Naser. E nga Gërçeci i Sarajit të Shkupit.

Avokati mbrojtës i të riut shqiptar, Rubin Dvojakov ka theksuar për “portalb’ se procedura e hetimeve është vonuar dhe se si shkas i kësaj siç mësohet ka qenë thika që ka lënë për vdekje të riun maqedonas, dhe e cila nuk ishte gjetur.
“Jemi në procedurë, tani është radha jonë të dërgojmë argumentet dhe provat” ka theksuar avokati Dvojakov.

Thika e zhdukur nga vendi i ngjarjes është një nga provat kryesore dhe se janë shfaqur dyshime të mëdha për humbjen e saj në vendin e ngjarjes ku ndodhi tragjedia, edhe pse MPB që në ditën e krimit kishte nisur kërkime me forca të mëdha policore në një perimetër të gjërë në lokalitetin kur kishte ndodhur ngjarja.

Kësaj vrasje i kanë paraprirë spekulime dhe informacione të ndryshme, ndërsa shumica e mediave maqedonase kanë raportuar njëanshëm duke dhënë versionin e shpalljes së të riut shqiptar si autor i krimit. Si shkas i tërë incidentit tragjik ishte se tentimi për grabitjen e një biciklete në oborrin e viktimës nga ana e të riut shqiptar.

Viktima dhe prindi i tij siç thuhej nga burime mediave dhe policore maqedonase, pasi që kanë hetuar të riun shqiptar në rrugën afër shtëpisë së tyre me pretendimin se po tentonte të grabiste bicikletën, ata janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes me makinë, ata kanë arritur që të ndalojnë të riun shqiptar pranë një ure në afërsi të Spitalit privat të syve në dalje të lagjes Gjorçe Petrov, që lidhet me Sarajin. Këtu ka nisur edhe rrëmuja dhe ka ndodhur tragjedia, ku ka mbetur i therrur maturanti maqedonas Angel Petrov.

Portali “Maktel” kohë më parë kishte shpalosur pohime shumë interesante se akti i vrasjes së maturantit ka qenë “akt vetëmbrojtjeje” dhe se “vrasësi është rrahur në mënyrë të egër më shkopinj bejzbolli”. Ky portal për këto pohime ishte thirrur në qytetarët të “Gjorce Petrovit” të cilët për shkaqe sigurie duan të mbeten anonim, por paralajmëron se “këto informacione janë të paverifikuara dhe si të tilla duhet të merren me rezervë”.

Policia asnjëherë nuk ka folur për këto fakte, duke theksuar se hetuesia duhet të jap fjalën e fundit. Vendimi për këtë vrasje pritet të jetë një sprovë tjetër për organet gjyqësore në Maqedoni.

Vrasja e të riut maqedonas nxiti protesta të dhunshme në këtë lagje, ku qytetarë dhe huliganë maqedonas thyen dhe dogjën prona dhe lokale të shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button