Mbi traget për 16 orë: Po përjetojmë Titanikun, do të vdesim nga të ftohtit (Video)

Prej më shumë 16 orë, trageti “Norman Atlantic” me mbi 300 persona ende në bordin e tij, qëndron në flakë në det të hapur, rreth 20 milje larg Durrësit. Ata po përjetojnë tmerrin e Titanikut, ndërsa kanë frikë se do të vdesin nga të ftohtit.

Trageti me 478 persona në bord, 25 prej të cilëve shqiptarë, u nis nga Igumenica e Greqisë me destinacion Ankonën në Itali, ndërsa dha alarmin SOS rreth orës 04:30 të mëngjesit, kur në katet e poshtme të anijes, në garazh, u përhapën me shpejtësi flakët e zjarrit për shkaqe ende të papërcaktuara.

Mbi 160 persona kanë arritur të evakuohen nga një super-operacion shpëtimi që përfshiu jo vetëm autoritetet italiane dhe greke, por edhe ato shqiptare. Por, fatkeqësisht, gjatë operacionit të shpëtimit rreth orëve të pasdites, një shtetas grek humbi jetën, duke shënuar viktimën e parë të kësaj tragjedie në det. Georghios Doulis u gjet në det të hapur nga “Butrinti”, anija shqiptare që mori pjesë në operacion-shpëtimin.

Rreth orës 18:30 trageti është bllokuar nga tre rimorkiatorë, ndërsa shpëtimi i jetëve që ndodhen ende në bord, do të mundësohet vetëm përmes helikopterëve, pasi dallgët e mëdha që arrijnë deri në tetë ballë e bëjnë të pamundur operacionin përmes anijeve të shpëtimit. Vetëm kur të gjithë pjesëtarët në bord të jenë shpëtuar, atëherë trageti do të tërhiqet me rimorkiator për t’iu drejtuar më tej Brindisit në Itali.

Për shpëtimin e pjesëtarëve në bordin e tragetit janë përfshirë tetë anije, mes tyre edhe “Butrinti” nga Shqipëria, 11 helikopterë shpëtimi të Ushtrisë greke, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi.

422 prej tyre janë pasagjerë, mes tyre gra e fëmijë dhe 56 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa trageti mbante edhe 222 automjete.

Incidenti u raportua nga një telefonatë në A1 REPORT e më tej nga mediat greke dhe ato italiane. /Shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button