Napoli përballet me një sfidë të re

Nga hiçi, Napoli po përballet me atë që mund të jetë sfida e tij më e madhe. Napoli ka fituar kaq shumë ndeshje (30 nga 37 në të gjitha garat) dhe ka shënuar aq shumë gola (91) për të qenë lideri i shkëputur në Serie A dhe një pretendues legjitim për trofeun e Ligës së Kampionëve, saqë një situatë që nuk e ka trajtuar deri më tani është që t’i përgjigjet një humbjeje të rëndë, raporton Koha.net. Megjithatë, kjo është ajo me të cilën duhet të përballet Napoli pasi vikendin e shkuar pësoi në shtëpi 4:0 nga kampioni në fuqi i Italisë, Milani, në kuadër të Serie A.

“Koncepti i pamposhtshmërisë është diçka që ju e keni vendosur mbi ne. E dimë mirë se kemi defekte”, tha trajneri Luciano Spalletti për mediat të enjten. “Dhe tani ne e dimë se nga këtu e tutje do të ketë beteja shumë të vështira për të sjellë në shtëpi titullin e kampionit”.

Deri në humbjen e Milanit tifozët e Napolit kishin lënë mënjanë besëtytnitë dhe kishin lyer qytetin me ngjyrë blu sikur skuadra të kishte fituar tashmë scudetton – të mbushur me flamuj me “3” yje për të shënuar titullin e tretë të ekipit në Serie A. Diego Maradona udhëhoqi Napolin në dy kampionatet e tij të vetme në Itali, në vitet 1987 dhe 1990.

“Derisa të marrim pikën e fundit që na nevojitet, kjo është e padobishme”, tha Spalletti për festimin e hershëm.

Ajo që nevojitet është një paraqitje e fortë në Lecce të premten përpara se Napoli të përballet sërish me Milanin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve pesë ditë më vonë në “San Siro”. Mbetet të shihet nëse Napoli do t’i hakmerret Milanit në Champions për humbjen e thellë që ia shkaktoi në serie A.

“Nëse mendoj për Milanin, do të bëj të njëjtin gabim si ata njerëz që thonë se ne kemi fituar tashmë titullin”, tha Spalletti.

Golashënuesi më i mirë në Serie A, Victor Osimhen, nuk do të jetë në gjendje të paraqitet as ndaj Lecces për shkak se nuk është rikuperuar nga lëndimi i muskulit të këmbës, i cili e mbajti edhe jashtë duelit kundër Milanit. Megjithatë, Spalletti paralajmëroi se qendërsulmuesi mund të rikthehet për duelin e Championsit në Milano. Ndërsa Napoli ka një avantazh të rehatshëm në Serie A prej 16 pikësh ndaj Lazios në vendin e dytë, disa tifozë “ultras” të klubit kanë protestuar së fundmi për çmimet e larta të biletave. Madje pati edhe një përleshje mes dy fraksioneve të tifozëve të Napolit në tribuna gjatë ndeshjes kundër Milanit.

“Atmosfera sigurisht që nuk na ndihmoi”, tha Spalletti. “Nuk mund të vazhdojmë pa tifozë, ndaj për ata që duan të krijojnë probleme është më mirë të qëndrojnë në shtëpi. Napoli është një kryeqytet futbolli për shkak të tifozëve të tij”.

Me gjithë humbjen nga Milani, Napoli mund të fitojë titullin e kampionit në Serie A me pesë apo më shumë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, nëse ruan avantazhin aktual.

“Na duhen 15 pikë ose pesë fitore. Unë jam në këtë punë tashmë për një kohë të gjatë dhe e di që ka raste kur topi nganjëherë nuk rrokulliset mirë”, tha 64-vjeçari Spalletti, i cili kurrë nuk e ka fituar titullin e kampionit në Serië A, pavarësisht se ka drejtuar ekipe si Roma dhe Interi. “Ne kemi ende një punë për të përfunduar”.

Humbjet e vetme të tjera të Napolit në Serinë A këtë sezon ishin me rezultatin 1:0, nga Interi në janar dhe nga Lazio një muaj më parë. Napoli u mposht gjithashtu 2:0 nga Liverpool në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, por kjo disfatë erdhi pasi ekipi e kishte siguruar kalimin në 1/8 e finales. Ndryshe, humbja e vetme tjetër e Napolit në sezonin 2022/23 ishte ajo ndaj Cremoneses me penallti në kuadër të Kupës së Italisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button