Reshjet e borës mbulojnë edhe Shqipërinë

Janë rikthyer në të gjithë Qarkun e Kukësit reshjet e dëborës, të cilat shoqërohen me erëra të forta. Sipas informacioneve të mbledhura nga zonat e thella, bëhet e ditur se dëbora ka nisur me intensitet të lartë, ndërkohë që shpejtësia e erës është e konsiderueshme.

Në zonën e Shishtavecit dëbora vijon që të bjerë, ndërkohë në qytetet e Kukësit, Krumës e Bajram Currit bien me intensitet më të ulët.

Sipas shtabit të Emergjencave Civile, gjatë orëve të natës, në të gjitha akset rrugore ka pasur ngrica, të cilat kanë detyruar kompanitë e pastrimit të rrugëve që të hedhin kripë, për të parandaluar aksidentet e mundshme rrugore.

Dëborë me intensitet është duke rënë edhe në pjesën e “Rrugës së Kombit”, ku në terren kanë dalë 8 mjete borëpastruese për të mbajtur të hapur rrugën në të dyja korsitë. Policia Rrugore, ndërkohë, vijon që të patrullojë të gjitha akset rrugore dhe ka apeluar, që drejtuesit e automjeteve të pajisen me mjete dimërore.

Korçë – Situatë e rënduar prej temperaturave të ulta dhe ngricave raportohen edhe në Qarkun e Korçës, ku ka pasur vështirësi të qarkullimit të mjeteve në disa zona të thella si Vithkuq-Shtyllë, Miras-Vidohovë dhe në aksin Voskopojë-Lekas. Të tre këto akse janë të kalueshme me zinxhirë.

Problematike paraqitet situata edhe në akset nacionale që lidhin Korçën me Dardhën, Kapshticën dhe Qafë Thanën.

Elbasan – Reshjet e dëborës kanë mbuluar edhe zonat malore të Qarkut të Elbasanit. Edhe pse ende nuk ka zona të bllokuara, nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet, situata parashikohet të jetë e vështirë.

Vetëm gjatë mbrëmjes së të shtunës, trashësia e dëborës në zonat e thella të Librazhdit dhe Gramshit ka arritur në 20-30 cm. Aktualisht janë mbuluar nga bora Komunat Rrajcë dhe Stravaj në Librazhd, fshati Kukur i Gramshit dhe fshatrat Shmil, Polis dhe Zavalinë të Elbasanit.

Akset rrugore janë të kalueshme dhe ende nuk ka nisur shpërndarja e kripës dhe skorjeve, pasi nuk vihen re ngrica të mëdha. Por, gjithsesi policia këshillon drejtuesit e mjeteve të lëvizin me zinxhirë në akset problematike, madje në disa rrugë nuk lejohet të kalojnë mjetet, të cilat nuk janë të pajisura me zinxhirë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button