35 përqindëshi i honorarëve kap edhe 2014-tën

Shpejtoni të merrni paratë që i keni fituar gjatë këtij viti sepse pushteti ka vendosur t’ju marrë 35% nëse pagimi i këtyre parave do të bëhet pas datës një janar të Vitit të Ri. Sipas shumë vlerësimeve dhe mendimit të atyre që kanë për të marrë para në formën e honorarit, vetë ndodhitë e kohëve të fundit dhe sjellja e institucioneve nuk të lënë të shpresosh se honorarët e fituar gjatë këtij viti do të derdhen në llogaritë e honoraristëve, për arsye se shteti do të marrë 35 përqindëshin e planifikuar. Megjithatë, ekziston mundësia që nga 35 përqindëshi të shpëtojnë honoraristët që kanë punë me firmat dhe kompanitë private, të cilave me një insistim më të madh mund t’ua marrin atyre paratë e angazhimit të tyre gjatë këtij viti, që në fakt do të jetë edhe për të mirën e tyre, shkruan gazeta Koha.

Megjithëse paraprakisht në opinion qarkulluan informatat sipas të cilave ndryshimet ligjore nuk do të kenë veprim retroaktiv, moment ky që detyroi shumë subjekte private të nënshkruajnë kontrata para mbylljes së këtij viti, Ministria e punës dhe politikës sociale sqaron dilemat, duke konfirmuar se 35 përqindëshi që do të paguhet në formën e kontributeve do të vlejë edhe për kontratat që janë lidhur gjatë këtij vit.

“Detyrimi për të paguar kontribute sociale vlen për kontratat e lidhura pas datës 1 janar të vitit 2015, por edhe për kontratat që janë lidhur para datës 1 janar të vitit 2015, që kanë të bëjnë me periudhën pas kësaj date”, tha në një prononcim për KOHA Marjan Gijovski, zëdhënësi i Ministrisë së punës dhe politikës sociale, duke përgënjeshtruar informatat se kontratat që do të lidhen para fillimit të Vitit të Ri do të shpëtojnë nga pagimi i 35 përqindëshit.
Po sipas sqarimeve zyrtare, detyrimi për të paguar 35 përqindëshin në formën e kontributeve sociale do të ngarkojë njësoj subjektet që do të angazhojnë një honorarist për një punë të caktuar, por edhe personat që do të punojnë për një honorar, jashtë të ardhurave të rregullta mujore.

Lajme të ngjashme

Back to top button