KOHA E BADENTERIT

Në tryezën e paradoditshme të USHT-së, që pati për temë propozim-ligjin e fundit për arsimin e lartë, shkurtova diskutimin tim për t’i dhënë përparësi zërit të studentëve prezentë në takim – më të prekurve nga pasojat që parandihen fuqishëm gjithandej. Me atë rast premtova se mendimin mbi çështjen në fjalë do ta publikoj në mediet shqipe. Dhe ja ku erdhi rasti ta bëj këtë për lexuesit e PORTALB-it, duke theksuar se personalisht jam për reformim të sistemit arsimor në të gjitha nivelet, por jo për ligje që cënojnë autonominë e arsimit, në veçanti atë të arsimit universitar në gjuhën shqipe, që, për shkaqe të mirënjohura, akoma nuk ka arritur nivelet drejt të cilëve ecim ditpërditshëm, sepse askush nuk e do sa ne ardhmërinë e fëmijëve tanë. Atyre që nuk duan ta kuptojnë se arritjet në arsim janë punë procesesh, atyre që kritikojnë përjermshëm dhe nuk e kanë të qartë se USHT ka nevojë për pak kohë që të barazohet me të tjerët, ua kujtoj se Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili hapi para disa dekadash fakultetin e mjekësisë me profesorë të veterinarisë, sot krenohet me mjekë tek të cilët vinë e gjejnë derman pacientë nga i gjithë rajoni. Si kujtojnë ata që edhe për cikërrima do t’ia kishin vënë kazmën me qejf institucionit ardhmëri të shqiptarëve: vallë ishin asokohe studentët dhe kuadri mësimdhënës i universitetit të Shkupit të gatshëm të garojnë barabarësisht me universitetin e Beogradit, Zagrebit, Lublanës, Sofjes…?

Natyrisht që jo, prandaj duket i padrejtë projekt-ligji, të bën të dyshosh se, nëpërmjet tij, synohet heqja e autonomisë së universiteteve, degradimi i kuadrit mësimdhënës, demotivimi i studentëve, partizimi dhe vënia nën kontroll i institucioneve, që kudo janë të paprekshme nga politikat utilitare.

Po sjell në vijim arsyet e mospajtimit me projektligjin në fjalë:

– 24 vitet e fundit, që kur u bë shtet i mëvetësishëm, Maqedonia nuk e ka pasur kurrë prioritet çështjen e arsimit, në asnjë nivel të shkollimit. Po ta kishte pasur, do të kishte ndërtuar shkolla moderne, në vend të luanëve me pamje të egërsuar, priftërinjëve mesjetarë ortodoksë që ruajnë urën e lashtë të kryeqytetit multietnik e multikonfesional, anijeve anakronike në lumin e shndërruar në shtonë, luftëtarëve me armë dhe me hanxharë të nxjerrë këllëfesh, që, si për t’na e bërë me dije sa bie sahati, u bëjnë karshillëk lagjeve shqiptare, duke pozuar domethënshëm para gjykatave, bibliotekave, universiteteve, televizioneve publike, shtëpive operistike, teatrove, muzeve të Holokaustit…, të cilat kudo dhe kurdo simbolizojnë paqen, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet njërëzish, kulturash, etnishë…;

– Gjatë kësaj periudhe, kanë rrjedhur dhjetra projekte me synim reformimi të sistemit arsimor në nivel të shkollimit fillor dhe të mesëm (gjimnazeve dhe shkollave profesionale), por gjithçka është braktisur në momentin kur janë harxhuar donacionet e jashtme, të dhuruara me dedikim konkret, jo për punë hajgaresh;

– Synime reformuese patën dhe seminaret e pafundme, me përfshirje të gjerë të arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme, por askush nuk u interesua më pas të vjelë informacionin kthyes nga terreni, për të parë sa dhe si zbatohen në praktikë risitë dhe informacioni i hedhur pa karar në veshët e arsimtarit të zbritur në statusin e shkopit të lypsarit, që jeton për të edukuar me dashuri fëmijët e të tjerëve dhe vdes në këste të përditshme nga pamundësia e shkollimit cilësor të fëmijëve të vet;

– Asnjë institucion nuk ka analizuar seriozisht modelet më të përshtatshme evropiane që mund të gjejnë zbatim te ne, askush nuk e pati parasyshë të dhënën se, jo gjithçka e dëshmuar gjetiu, mund të japë rezultate në kushtet dhe rrethanat tona;

Fiasko qe dhe projekti qeveritar për kompjuterizimin e tërësishëm të shkollave fillore dhe të mesme, i njohur si: “Kompjuter për çdo nxënës”, që në fakt ishte monitor për çdo nxënës, por që bëri rrush e kumbulla shuma milionëshe me të cilat mund të ishte përparuar arsimi;

– Si për të kompensuar projektin e dështuar të monitorëve të shnderruar në havele elektronike, që pamundësojnë pamjen e fytyrave të nxënësve nga ana e arsimtarit të trajnuar me vite për realizimin e mësimdhënies interaktive, u shpik vakia e “Ditarit elektronik”, që, natyrisht, nuk e largoi skene ditarin e rëndomtë, por ia doli ta shndërrojë arsimtarin në punëtor administrativ, të cilin më shumë e sikletos qëndrueshmëria e rrjetit të internetit, nëpërmjet të cilit duhet të dërgojnë titujt e njësive mësimore në Tabir saraj, se sa procesi fisnik i mësimdhënies;

– Kanë dështuar gjithanshëm testimet eksterne të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, veçmas në shkollat me mësim në Gjuhën shqipe, për shkak të mungesës së teksteve kualitative, mungesës së këshilltarëve pedagogjikë në shumë lëndë mësimore dhe mungesës së lektorëve shqiptarë, që do të merreshin vetëm me punën e testeve. Në kësi situate, testet eksterne në shqip dalin të shfytyruara dhe me gabime teknike, gjuhësore e materiale, që do të detyronin çdo shtet normal të anulojë në vend rezultatet diskutabile, jo të degradojë mësimdhënësit me zbritje pagash edhe ashtu mizerje;

– Rezultojnë të pasuksesshme edhe testet e maturës, sepse nuk paraqesin kurfarë filtrash për seleksionimin e drejtë të nxënësve, në pajtim me prirjet dhe afinitetet e tyre…

Këto janë hipotekat e trashëguara të Ministrisë së arsimit, sepse jo çdo ministër ka pasur gatishmërinë dhe kompetencën për të ndihmuar njëmend çështjen e arsimit të vendit. Në një situatë të këtillë, duket më i logjikshëm kthimi prapa me qëllim të analizimit të shkaqeve të dështimeve të njëpasnjëshme dhe revidimit të tyre, jo zgjerimi i rrathëve të kontrollit edhe në shkollimin e lartë, me çrast vlerësimin final të njohurive dhe aftësive të studentëve nuk do ta bëjnë mësimdhënësit, që ndjekin këmba-këmbës angazhimin e tyre, por supervizorët qeveritarë.

Që absurdi të jetë jashtë çdo orbite kohe e hapësire, kualitetin e niveleve stratosferike, e synon qeveria që me vite angazhohet për masivizimin e shkollimit të lartë, pa çarë kokën se Zoti i ka krijuar njerëzit me aftësi të ndryshme, duke mbajtur llogari për balancet ndërmjet atyre që do të punojnë tokën, atyre që do të ruajnë bagëtinë, atyre që do të gërmojnë në miniera, atyre që do të shkrijnë metale nëpër furnalta, atyre që do të ligjërojnë nëpër shkolla e katedra universitare, atyre që do t’i shërojnë njërëzit, atyre që do të mëkëmbin ekonomitë, atyre që do t’ua mësojnë njërëzve Zotin e hajt bir.

Druaj se nga gjithë kjo zallamahi më së keqi do të kalojmë ne shqiptarët dhe USHT-ja, që ka qenë dhe ka mbetur halë në sytë e atyre që ndihen të rrezikuar nga dija, atyre që duan të kontrollojnë milimetrat e ecjes sonë përpara, atyre që na duan masë amorfe, qenie trutredhura, rajë  të denjë për nëpërkëmbje…

Për këtë dhe për një milion arsye të tjera, pa dashur të fyej integritetin dhe dinjitetin e kujtëdoqoftë dhe pa pretenduar se pikëpamjet e mia janë 100 % të drejta, jam kundër projekt-ligjeve që cënojnë autonominë universitare.

Në fund fare, dua ta them edhe këtë:

Përvoja jetësore ma ka mundësuar njohjen e takatit tonë në shumë sfera, ndaj e kam të qartë se numri i votave shqiptare nuk mund të ndalojë miratimin e ligjeve të disfavorshme për ne. Kjo u ka ndodhur të gjitha partive shqiptare që nga 1990-ta e këndej dhe do t’u ndodhë edhe pasardhëseve të tyre, kurdo që të vijnë në kondita të njëjta në skenën politike të shtetit, që na koncepton si punë gangrene. Megjithatë, kësaj here, fjala është për ligj që kërkon koncensus ndërpartiak e ndëretnik, që, dhashtë Zoti, votohet me BADENTER.

Shfrytëzoni pra mekanizmat që keni në disponim, deputetë të nderuar të pozitës dhe opozitës shqiptare, se është në interes të etnisë që përfaqësoni. Votoni kundër ligjit që mund ta dëmtojë pariparueshëm arsimin shqip, që nesër mos të vajtojmë me qemane rastin që nuk përsëritet më.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

 

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ka kohë të gjatë që nuk kam lexuar ndonjë shkrim aq të mirë dhe konkret, të gjitha analizat e bëra me vend dhe përkushtim të madh ndaj profesionit të mësimdhënësit.

  2. Ka kohë që nuk kam lexuar ndonjë shkrim aq konkret dhe të saktë në lidhje me arsimin në përgjithësi, analizë e përgjithëshme dhe shumë e saktë për periodën që kemi kaluar si mësimdhënës. Me gjithë problemet që ka pasur dhe ka arsimi sidomos shqipëtar në vendin tonë.

  3. Pas këtij teksti, partive shqiptare, në radhë të parë asaj që është në pushtet, i mbetet ta venë gishtin në mendje!

Back to top button