BDI nuk sjell asgjë të re, Ahmeti mbanë larg dështimet

Një rezyme e shkurtër e ngjarjeve politike dhe përsëritjes së frazave të njohura që mbeten aktuale për çdo fund viti përbënte fjalimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti me rastin e fund vitit.

Fitore më e madhe që përmbyll këtë vit për Ahmetin janë rezultati i zgjedhjeve që arriti kjo parti.

Zhvillimet gjeopolitike, duke i konsideruar zhvillimet në Ukrainë si ngjarje nga të cilët duhet të nxjerrim mësim, Ahmeti tërhoqi vërejtje për nevojën e integrimit të Maqedonisë s më shpejtë në NATO.

Analistët e vlerësojnë fjalimin e Ahmetit më pak pragmatike dhe një fjalim që nuk përmban të arriturat e një strukture partiake. Ata vlerësojnë se Ahmeti dhe ministrat e tij dështuan në Maqedoni dhe se Ahmeti nuk solli asgjë të re nga vitet e kaluara.

Deklaratat e stilit “kodër më kodër” nuk ndezin më në opinion

Publicisti Xhelal Neziri, thotë për Portalb se fjalimi i li Ahmetit i ngjante deklaratave të stilit “kodër më kodër” që nuk ndezin më në opinion.

“Sinqerisht prita që Ahmeti një kohë të gjatë të mos paraqitet në opinion. Pas skandalit me stemën e re që propozohet, mendova se do të tërhiqet një kohë nga skena politike për t’i bërë një evaluim veprimtarisë së tij politike. Por, ai doli sërish para mediave. Edhe para kësaj u paraqit me deklaratën se BDI ka shumë armiq. Unë do të kisha thënë se krerët e BDI-së, përfshi këtu edhe Ahmetin, janë armiqtë më të mëdhenj të BDI-së”, thotë Neziri

“Deklaratat e stilit “kodër më kodër” nuk ndezin më në opinion. Ukraina është afër sepse aty na solli kjo garniturë qeveritare me këto ministra-biznesmenë. Andaj, Ahmeti duhet ta ketë të qartë se me këtë kurs të politikës qeveritare, të cilën e përkrah edhe ai me gjithë kapacitetet që ka, Ukraina do të afrohet edhe më shumë”, thotë Xhelal Neziri.

Të kërcënosh duke krahasuar Maqedoninë me Ukrainën, vërtetë është e dhimbshme

Analisti Ismail Sinani, thotë për Portalb se kërcënimet e Ahmetit të tipit se Maqedonia mund të shndërrohet në Ukrainë, sa janë komike po aq janë edhe tragjike

“Kjo në një farë mënyrë është tallje me mendjet e shëndosha të qytetarëve dhe aktrim të patriotizmit, gjithsesi të rrejshëm. Spinet e këtilla të imagjinuara në kokat e këshilltarëve të tij, tregojnë se sa të ligë janë dhe kjo më së shumti flet për karakterin e tyre të sëmurë. Shqiptarët, për fat të keq po kalojnë më se 33 breza që nga viti 1981 duke jetuar me ndjenjën e luftës.  Ahmeti mendoj se e kishte shansin e tij në vitin 2001 dhe askush deri më sot nuk e gjykon për atë që ndodhi para 13 vitesh, pavarësisht se Marrëveshja e Ohrit nën drejtim e tij është shndërruar në projekt i dështuar dhe ende i parealizuar”, thotë Ismail Sinani.

Sipas tij, të kërcënosh duke krahasuar Maqedoninë me Ukrainën, vërtetë është e dhimbshme.

“Asnjë nënë shqiptare nuk ka tepër fëmijë që t’ia dedikojë dikujt që është i paaftë ta shpjerë Maqedoninë në NATO. Obligimet e veta ai është dashur t’i kryejë me ministrat e tij në Qeveri dhe jo sot të bëjë folklorizma patetikë. Sa i përket pjesës tjetër të deklaratës së ‘ka mosmarrëveshje me partnerin e koalicionit’ apo se ‘stema duhet të reflektojë realitetin etnik në vend’ është tallja e radhës së cilës tashmë i ka dalë boja. Pra, me një fjalë, fjalimi i kreut të BDI-së, nuk dallonte thuajse aspak nga ato të viteve të mëparshme”, thotë Sinani.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button