Shqipëri, opozita kthehet sot në Kuvend, Basha mbledh grupin parlamentar

Partia Demokratike pritet të thyejë sot bojkotin 5-mujor të Kuvendit, pasi përfaqësues të dy partive ranë dakord në miratimin e një rezolute të përbashkët që kthen deputetët e PD në seancë plenare.
Pak përpara fillimit të seancës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka thirrur grupin parlamentar, në një mbledhje me dyer të mbyllura.

Seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit do të ketë si kryefjalë paktin PS-PD që do të formësohet si rezolutë e përbashkët. Taulant Balla e Genc Pollo udhëhoqën negociatat që në mesnatë sollën marrëveshjen me 4 pika. Orë të shumta negociatash vazhduan me debate deri në mesnatë dhe deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë rënë dakord për draft-rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein. Balla dhe Pollo konfirmuan në prag të mesnatës se ishte arritur një akord i përbashkët: rezoluta e eurodeputetëve do miratohet pa ndryshime.

4 PIKAT E DRAFTIT

Pika e parë: “Opozita kthehet në parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare, duke iu shmangur bojkotit të parlamentit dhe komisioneve të tij. Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”.

Pika e dytë: “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në parlament dhe të respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të angazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pika e tretë: “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

Pika e katërt: “Përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në

Parlamentin Europian, socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”./BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button