Aktorët shqiptarë: Jemi tmerrësisht të diskriminuar!

Aktorët shqiptarë në Shkup ankohen se diskriminohen dhe nuk kanë kushte të njëjta me kolegët e tyre maqedonas. Ata kanë paga më të ulta se ata.

Aktori i mirënjohur Bajrush Mjaku thotë për Portalb, se gjendja është aq e mjerueshme sa për ta vajtuar.

“Gjendja është e aktorëve shqiptarë është aq e mjerueshme sa për ta vajtu. Që nga viti 2005 jemi tmerrësisht të diskriminuar, disa herë e kam alarmu këtë problem dhe këtë çështje të pagave të ulëta, por ja që askush nuk ka zgjidhur problemin. Dikush që është punësuar vetëm me diplomë të aktorit i ka kushtet shumë mirë, mirëpo për aktorët e vërtetë, është mjerim”, tha për Portalb, Mjaku.

Ai shtoi se së shpejti pritet të pensionohet por pyet se çfarë do të ndodh me aktorët tjerë.

Po ashtu edhe aktori Besfort Idrizi bën të ditur se sa i përket pagës, aktorët nuk janë të nivelizuar pasi që nuk është nënshkruar marrëveshja kolektive.

“Ne jemi të diskriminuar sepse pagat nuk janë të nivelizuara dhe nuk janë të ndara në grupe. Kjo për shkak se nuk është e nënshkruajtur marrëveshja kolektive sipas të cilës do të ndahen aktorët sipas kritereve dhe ashtu do të dallonte edhe rroga. Me kolegët maqedonas kemi dallim në paga vetëm për këtë çështje, sepse ne marrim rrogë paushall, pa asnjë kriter”, tha për Portalb, Idrizi.

Aktorja Amernis Nokshiqi pohon se gjendja është tmerrësisht e keqe dhe thotë se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër.

“Gjendja e aktorëve shqiptarë është tmerrësisht e keqe për nga ana e rrogës, jemi të diskriminuar shumë. E di që disa herë është bërë kërkesë për rritjen e pagave por ja që kërkesat tona po hasin në vesh të shurdhër”, tha për Portalb, Nokshiqi.

Drejtori i Teatrit Shqiptar, Adem Karaga thotë se mosrritja e masës së rrogave e ka zanafillën te vet ata, përkatësisht është pasojë e mosakordimit të Sindikatës dhe Drejtorisë asokohe brenda institucionit për nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive

“Fakt është që mosrritja e masës së rrogave e ka zanafillën te ne, përkatësisht është pasojë e mosakordimit të Sindikatës dhe Drejtorisë asokohe brenda institucionit për nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive – akt që e nënshkruan institucionet tjera dhe sot të punësuarit brenda tyre kanë rroga më të larta se ne. Drejtoria përgatiti Marrëveshjen kolektive por udhëheqësia e Sindikatës së atëhershme nuk pranoi ta nënshkruaj. Teatri Shqiptar vazhdimisht bën kërkesa për korrigjimin e gjendjes së rrogave. Aktualisht na mbajnë me premtimet për nivelizimin e rrogave në nivel shtetëror në të gjitha institucionet e kulturës me ç’rast do të korrigjohet edhe gjendja te ne”, tha për Portalb, Karaga.

Ai sqaron se dallimi me pagat në teatrot tjera është shumë i madh.

“Sa për ilustrim, pa u krahasuar me teatrot e tjera, po marr shembull Teatrin Turk me të cilin ndajmë objektin dhe disa shërbime që nga themelimi, rrogat e aktorëve dhe disa të punësuarve (përfshirë edhe drejtorin) dukshëm dallojnë nga rrogat tona. Për të qenë i sinqertë, nuk janë të dëmtuar të gjithë të punësuarit , bëhet fjalë për disa aktorë dhe një pjesë të shërbimeve administrative”, tha drejtori i Teatrit, Adem Karaga.

Ndërkaq, sekretari shtetëror pranë Ministrisë se Kulturës, Behixhudin Shehapi ishte i pakapshëm për Portalb.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shqiptarve pèrveç kataklizmes sociale dhe ekonomike u kanoset edhe asimilimi total qe na imponohet nga ministri i arsimit ,i cili as qe merret me tekstet shkollore skandaloze dhe heqjen testit ekstern i cili ka prapavije afatgjate drejt asimilimit dhe bastardimit te kultures , historise dhe letersise Shqipe….

Back to top button