Gostivar, restaurohen Medreseja e Vjetër dhe Shtëpia e Ahmed Çakos

U prezantua sot në Gostivar Medreseja e Vjetër pas restaurimit të saj.  Më pas, kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, bashkë me ministreshën e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska dhe tjerë vizituan dhe shtëpinë e Ahmed Çakos ku aktualisht është duke u bërë restaurimi.

Me këto dy objekte që ndodhen në qendër të qytetit, Gostivarin do ta bëjnë tërheqëse për vizitorët.

“Ky është një shembull i mirë dhe dëshmi se paratë e investuara në kulturë kthehen në mënyrë të drejtë. Gjithë ky angazhim i jonë dhe i Ministrisë së Kulturës është kontribut për ruajtjen e historisë së pasur të familjes Çako, e cila ka rëndësi për qytetin tonë”, tha kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta.

“Mbrojtja e monumenteve kulturore historike është ndër prioritetet e Ministrisë dhe angazhimi ynë kryesor është projekte të tilla të realizohen në të gjitha pjesët e Maqedonisë. Unë jam veçanërisht mirënjohës për ndihmën bujare të familjes Çako, të cilët janë përfshirë në restaurim me fondet e veta”, tha Kançeska-Milevska.

Ajo bëri me dije se vitin e ardhshëm në Gostivar do të bëhet edhe rindërtimi i fasadave të njëzet ndërtesave në zonën qendrore.

Lajme të ngjashme

Back to top button