Ja letra e plotë e Ramës ku falenderon qytetarët për pagesat e energjisë

Një letër me një dedikim special nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i drejtohet kundrejt të gjithë paguesve të rregullt të energjisë elektrike. Rama ka shprehur të gjithë mirënjohjen për shembullin që kanë dhënë ndër vite familjet shqiptare.

Menjëherë pas deklaratës së PD, ku letra e kreut të qeverisë cilësohej si hipokrizi, Kryeministria ka publikuar përmbajtjen e letrës. Letra e kryeministrit Rama mbyllet me urimin për festat e fundvitit.

I/E dashur

Pagesa e rregullt e energjisë elektrike nga ana Juaj është detyrim i fortë për ne që të luftojmë pa pushim për t`i dhënë fund fenomenit të turpshëm të vjedhjes së energjisë.

Energjia nuk mund të vazhdojë të paguhet më vetëm nga Ju dhe Ju s’mund të mbani më në kurriz, me paratë Tuaja, edhe ata që e vjedhin energjinë.

Dua ta dini se Ju jam shumë mirënjohës për inkurajimin e madh që na jepni përmes shembullit Tuaj qytetar dhe po ashtu, dua t’Ju siguroj se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane do të bëjë gjithçka që vendi ynë të ketë, më në fund, shtetin dinjitoz që Ju meritoni.

Me këtë shprehje mirënjohjeje dhe angazhim të sinqertë përpara Jush, gjej rastin t’Ju siguroj se jam shumë i vetëdijshëm për vështirësitë, mundimet e për shpresat Tuaja dhe t’Ju shpreh bindjen se së bashku do t’i bëjmë këto vite reformash rrënjësore, vitet e Rilindjes së shumë dëshiruar për Shqipërinë.

Gëzuar Vitin e Ri 2015 dhe shëndet e mbarësi për Ju e për familjen Tuaj! Juaji sinqerisht, Edi Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button