Lunaçek: Serbia bëri gjenocid në Kosovë

Asnjë qeveri nuk ka vepruar me minoritetet ashtu siç ka bërë Millosheviqi në Kosovë, ku ka vrarë, dëbuar dhe ka ushtruar gjenocid.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për televizionin e parë publik gjerman ARD, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, e cila ka ftuar edhe njëherë pesë vendet anëtare të BE: Spanjën, Rumaninë, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë të njohin shtetin më të ri evropian, Republikën e Kosovës.

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën Ulrike Lunaçek, siç transmeton RTK, ka ftuar pesë vendet anëtare të BE: Spanjën, Rumaninë, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë të njohin shtetin më të ri evropian, Republikën e Kosovës.

Në një intervistë për televizionin e parë publik gjerman ARD, Lunaçek ka deklaruar se e kuptonte hezitimin e këtyre vendeve për shkak të problemeve që kanë me minoritetet në vendet e tyre, por ata duhet ta dinë se “as një qeveri nuk ka vepruar me minoritetet ashtu siç ka bërë Millosheviqi në Kosovë ku ka vrarë, dëbuar dhe ka ushtruar gjenocid ndaj popullatës shqiptare“.

Lunaçek ka përshëndetur qeverinë e re në Kosovë: “Tani ka një koalicion të madh së bashku me minoritetet”. Por kjo qeveri, ka thënë Lunaçek, tani duhet të merret me problemet ekzistuese të vendit.

Gjendja ekonomike në Kosovë po keqësohet gjithnjë e më shumë ka shtuar ajo, ndërsa ka nënvizuar se po rritet edhe numri i azilkërkuesve në vendet evropiane, që nga Kosova po kalojnë përmes Serbisë dhe Hungarisë.

Kjo është një shenjë se gjeneratat e reja kanë pak shpresë se do të ndryshojë diçka. Kjo gjendje, ka thënë Lunaçek i ka hapur tani mundësinë e manipulimit me të rinj vetëm grupeve islamiste.

Për sa i përket korrupsionit brenda EULEX-it, Lunaçek ka deklaruar se kjo e ka dëmtuar shumë Misionin.

Akuzat, tha ajo, duhet të sqarohen shumë shpejt dhe fajtoret duhet të dënohen. “Nuk guxon të ketë pardon në rastin e korrupsionit në EULEX” , tha Lunaçek. Ndërkaq, për sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, ajo tha se problem është tek zbatimi i marrëveshjeve.

“Është bërë pak në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Lunark për ARD. Ajo ka potencuar se për pasojë Kosova ende nuk ka kodin e saj telefonik. Në Kosovë, ka thënë Lunaçek, duhet të bëhet më shumë edhe për përmirësimin e të drejtave të homoseksualëve. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button