Rama në Bruksel për të kthyer PD në Kuvend

Deputetët e opozitës shqiptare rrezikojnë djegien e mandateve me bojkotin e Kuvendit, pasi kanë mbetur edhe pak ditë nga afati 6 mujor i mungesës së tyre në punimet e komisioneve parlamentare dhe në seancat plenare të Parlamentit të Shqipërisë.

Në këto kushte, për të shmangur thellimin e krizës politike, kryeministri Edi Rama ka shkuar në Bruksel për të bindur Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi, që t’i rikthehen punimeve të Kuvendit. “Nuk flas asnjëherë për opozitën në anglisht, por dua të nënvizoj se ata duhet të kthehen në Parlament, pasi kemi përmbushur kërkesat që ata pretendojnë si ligjore dhe janë të mirëpritur që të sjellin propozime të reja.   Do të ulemi me të për të gjetur zgjidhjet më të mira. Pa u bërë e njëjta parti, sigurisht, këtë nuk mund ta marrim si opsion”, u shpreh Rama gjatë konferencës për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schultz. Gjatë bisedës me Schultz, kryeministri Rama garantoi se në të ardhmen Shqipëria do të kalojë në nivele të ndryshme të bashkëpunimit. “E kemi ftuar opozitën dhe kemi përmbushur kërkesat e saj për t’u kthyer në Parlament. Do të ulemi me të për të gjetur zgjidhjet më të mira. Pa u bërë e njëjta parti, sigurisht, këtë nuk mund ta marrim si opsion”, tha ai. 

Schultz apel opozitës

President i Parlamentit Europian, Martin Schultz, ka dënuar bojkotin e stërzgjatur të opozitës. Martin Schultz i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Parlament, pasi vendi i parlamentarit, detyra e tij, është të jetë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. “E kemi diskutuar edhe më parë, kur z.Rama ishte në opozitë dhe nuk shkonte në Parlament, se parlamentarët duhet të shkojnë në Parlament, detyra e tyre nuk është që të qëndrojnë jashtë. Vendi i parlamentarit është brenda dhe jo jashtë. E kam nxitur z.Rama kur ishte në opozitë të hynte në Parlament dhe të gjithë parlamentarët duhet të hyjnë në Parlament”, u shpreh Schultz. Gjatë bisedës me Ramën, Schultz bisedoi edhe për integrimin e Shqipërisë. “Kemi pasur shkëmbim pikëpamjesh për marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, marrëdhëniet me fqinjët dhe situatën në botë dhe rolin e BE-së. Me z.Rama jemi miq prej kohësh, e njohim njeri-tjetrin prej shumë kohësh.

Shkëmbimi i pikëpamjeve ishte i hapur dhe kemi rënë dakord në pjesën më të madhe të pikëpamjeve që BE-ja duhet t’i mbajë dyert hapur për fqinjët. Liderët europianë duhet t’i japin sinjalin fqinjëve se bashkëpunimi vazhdon. Ju falënderoj për vizitën tuaj dhe dialogun tuaj konstruktiv”, u shpreh Schultz. Pa plotësuar disa kushte themelore, nuk do të hapen negociatat Shqipëri-BE. Megjithatë, zyrtarë të lartë të BE kanë deklaruar se zgjerimi do të bllokohet prej të paktën 5 vjetësh. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button