Kush dhe sa përfiton nga Dita e Drurit
A mund të më argumentojë ndonjëri prej jush pse u mbollen 5 milion fidanishte dje? Demek aksioni më i madh deri tani i këtij lloji që është organizuar nga Qeveria e Maqedonisë. Ndoshta për të zëvendësuar ato 5 milion drunj të shëndoshë që priten e vidhen cdo vit, ca me leje e ca pa leje, ca në mënyrë të kontrolluar, ca në mënyrë kriminale. Apo ndoshta për të dalë, sërish në fotografi e në televizion po ato, të njejtat fytyra. Në ndërkohë ambasadorët e vendeve të huaja, duartrokasin, përgëzojnë, qeshen, japin deklarata para mediave… Thua ti, Maqedonia është vendi më i gjelbër në botë pas këtij aksioni. Thua ti, nuk kanë cka raportojnë tjetër këta ambasadorë vendeve të tyre amë (me gjithë respektin për punën e tyre) e duhet t’jua bëjnë qejfin këtyre tanëve e të dalin bashkë me ta në fotografi. Në sytë e popullit, aksioni i djeshëm i kësaj qeverie merr akoma më shumë vlerë. Do thonë, po ishin mbledhur gjithë ambasadorët, doemos që do lulëzojë vendi jonë. Pale pastaj që me vendim të po kësaj qeverie u shlye nga kalendari një ditë pune.
Tani, kur merren vendime të këtilla duhet bërë paraprakisht një analizë e kostove dhe benefiteve. Është shumë e qartë që kjo analizë nuk është bërë: për dy arsye, askush nga qeveria nuk doli e të mburret me këtë gjë – sikur ta bënin këtë analizë, do kishin bërë ndonjë PowerPoint prezentim edhe do e kishin shpërndarë nëpërmjet fletushkë-mediumeve të veta; dhe e dyta, asnjë qeveri nuk do të ndalte gjithë funksionimin e shtetit sepse mbahet aksion për mbjellje fidanishtesh. Nuk jam shumë i habitur që u morr ky vendim, sepse ka vite të tëra mbas që nga dy ditë në vit ju haen biznesit dhe administratës shtetërore. Por dua të shpreh revoltën time të argumentuar që ne po flejmë gjersa të tjerët po tallen sërish me intelegjencën tonë. Edhe dje, shumica prej nesh flejtën.
Nuk jam agronom vetë, dhe megjithëse në bahcen e shtëpisë tonë krejt për qejf kemi mbjellur nga një fidan mollë apo fidan dardhë për vite me rradhë (mh sa të shijshme që ishin…), e dij që në këto shira dhe në këtë periudhë, nuk mbjellen fidanet. Pastaj, nuk është ndonjë ditë e shënuar në nivele botërore, data 3 Dhjetor që të festohet me një aksion të tillë të madh. Dita e Tokës në nivel botëror është e shënuar me 22 Prillin. Nëse ky aksion është ndërmarrë për të ndikuar në rruajtjen e ambientit jetësor, në shpëtimin e planetit, në uljen e ndotjes dhe ngrohjes globale që po zhduk ngadalë jetën në vendin tonë, atëherë datë më e zgjedhur do të kishte qenë kjo e 22 prillit për të mbajtur një aksion të tillë të stërmadh.
Por të caktosh një ditë pune të rëndomtë, në mes të javës së një dhjetori, që është muaji më i vlefshëm për ekonominë e një vendi, sepse pjesa më e madhe e afarizmit kryhet gjatë këtij muaji, më duket e palogjikshme. Të deklarosh pastaj që ke angazhuar gjithë administratën shtetërore në realizimin e këtij aksioni, është një hipokrizi e tmerrshme. Nga ju që po lexoni tani këtë tekst, le ta ngrejnë gishtin sa janë të punësuar në administratën shtetërore; pastaj le ta ngrejnë gishtin tjetër ata që kanë dalur dje në akcion për të mbjellë fidanishte. Mendoj që nuk do gabohesha fare nëse thoja që më shumë se gjysma e këtyre të punësuarve dje nuk kanë përlyer këpucët apo pantolonat e tyre.
Pastaj, numri 5 milion fidanishte është i frikshëm vetë më vete. Një matematikë e thjeshtë, 5 milion fidanishte të ndara në 2 milion popull (përfshirë këtu fëmijë e pleq, të paaftë për të dalur në terren) i bie që secili qytetar i këtij vendi të kishte mbjellë nga 2,5 fidanishte. Ose më mirë, të mbjellë dy, dhe ta hapë gropën për të tretën fidanishte. E palogjikshme.
Ndërkaq ky aksion mund të ndërmerrej nga Ndërmarrja publike Pyjet e Maqedonisë, që ka një numër goxha të madh të punësuarish, e të ishte kjo ndërmarrje që do mbjellte këto 5 milion fidanishte, faktikisht do të plotësonte misionin për të cilin ekziston dhe për të cilën unë, ti dhe të tjerët paguajmë taksat në buxhetin shtetëror që të funksionojë një ndërmarrje e tillë. Kuptohet, që këta të ndërmarrjes nuk duam t’i lodhim për së tepërmi, prandaj them që për një periudhë prej 10 ditësh deri 2 javë mund të ishte organizuar mbjellja masive. Pa le të dilnin pastaj përpara kamerave të gjithë qeveritarët, deputetët, kryetarët e komunave dhe të tjerë figura eminente, përfshirë këtu edhe ambasadorët e shteteve të huaja e le të gjëmonin. Sepse realisht unë do isha më i kënaqur të shihja që një ndërmarrje publike me të vërtetë ka plotësuar qëllimin dhe mision e vet. Kjo gjithashtu do të garantonte që mbjellja është bërë në mënyrë të duhur dhe profesionale.
Ndërkaq është temë më vete ajo se sa do ndihmojnë këto akcione në uljen e ndotjes dhe mbrojtjen e planetit nga ngrohja globale dhe nga shkatërrimi iminent. Sikur të bëhej një analizë e kostove dhe benefiteve të mega projekteve të këtilla, do të vërtetohej që mbrojtja e ambientit do të duhej të rregullohej në formë të një sistemi pune. Jo kuturu, por me regulacion të saktë dhe të rreptë ligjor, që do të ndalte punën e fabrikave si Jugohromi nëTetovë, që nuk do të lejonte importin e veturave fundërrina të Evropës që lëshojnë në atmosferë më shumë ppm sesa është e lejueshme, nuk do të lejonte përdorimin e tepruar të hemikaleve dhe pesticideve në ushqimin e kafshëve dhe në kultivimin e kulturave bujqësore dhe të tilla masa të ngjashme. Sepse nëse një shtet nuk ka sistem për mbrojtjen e ambientit, atëherë mund të organizojë sa të dojë akcione për mbjellje fidanesh por kurrë nuk do të arrijë efekt real.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.