Në Gostivar u shënua “Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta”

Me rastin e 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, Këshilli Rinor i komunës së Gostivarit në bashkëpunim me organizatën Green Club Macedonia, në Gostivar filluan me projektin “Macedonia Cap Project” me moton “Një karrocë, një shpresë”, në kuadër të së cilit do të krijohen pika grumbulluese për kapakë dhe në qendër të qytetit u shpërndanë fletushka me përmbajtje informuese mbi projektin.

“Këshilli Rinor kësaj radhe bashkëpunon me organizatën “Green Club Macedonia”, ku sot zyrtarisht fillojmë me projektin me kapakë “Macedonia Cap Project”, e cila tashmë zhvillohet në disa vende të Ballkanit dhe në disa qytete të Maqedonisë rreth dy vjet. Qëllimi i këtij projekti është që përmes kapakëve të grumbulluar të dhurohet një karrocë për personat me aftësi të kufizuar. Këtë aksion që ne sot e bëjmë është që ti informojmë qytetarët me informatat bazë për projektin dhe për atë se çfarë është “Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të posaçme”, që të ngritet vetëdija se edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë dhe të mos anashkalohen, por përkundrazi të përfshihen si gjithë njerëzit tjerë dhe t’ju mundësohet që edhe ata të jenë pjesë aktive e shoqërisë”, tha kryetarja e Këshillit Rinor, Atibe Arifi.

“Apelojmë deri te qytetarët që të bëjnë grumbullimin e sa më shumë kapakëve dhe ti dorëzojnë ata nëpër pikat e grumbullimit që gjenden nëpër shkollat e komunës së Gostivarit. Me mbledhjen e kapakëve ne do bëjmë riciklimin e tyre dhe pas riciklimit do dhurojmë karroca për personat që kanë nevoja të veçanta dhe do i ndihmojmë financiarisht”, tha Fisnik Iljazi, nga shoqata “Macedonia Cap Project”.

Me që bëhet fjalë për një projekt me afatgjatë, hapi i ardhshëm do jetë krijimi i pikave të grumbullimit të kapakëve nëpër shkollat fillore dhe të mesme ku përveç nxënësve edhe qytetarët tjerë mund ti bashkëngjiten kësaj iniciative duke grumbulluar kapakë dhe duke i vendosur nëpër këto pika grumbullimi të cilat me pas do përdoren për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara përmes karrocës së dhuruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button