Ministri Izairi në Ditën e drurit në Dibër

Në Ditën e drurit ministri i Mjedisit Jetësor, Nuran Izairi, së bashku me kryetarin e Dibrës, Ruzhdi Lata, mbollën fidanë në afërsi të Liqenit të Dibrës. Në aksionin e mbjelljes së druve në të cilin morën pjesë të punësuarit e administratës së pushtetit vendor  dhe ndërmarrjeve lokale, ministri Izairi, theksoi se Dita e drurit në Maqedoni ka sjellë efekte të mëdha pozitive në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Sipas tij, këto aktivitete që filluan para disa viteve, kanë mundësuar që dukshëm të përmirësohet aspekti ekologjik në të gjithë rajonet e vendit. Ministri tha se ky aksion do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme dhe përshëndeti pushtetin vendor të Dibrës për aktivitete që ka ndërmarrë në mbjelljen e druve në pjesën më të bukur të bregut të Liqenit të Dibrës. Një interesim për aksion të ngjashëm ka edhe nga Qeveria e Shqipërisë, tha ministri Izairi, i cili shtoi se pala shqiptare ka filluar kontakte me institucionet kompetente në Maqedoni që realizojnë këtë aksion.

Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, theksoi se në rajonin e Dibrës janë mbjellë shumë fidanë viteve të kaluara. Tani mbjellim fidanë në bregun e liqenit, ku faktikisht është edhe rruga e shëtitores që përdoret për rekreim nga dibranët.

Lajme të ngjashme

Back to top button