USHT jashtë Këshillit për Akreditim?

Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT) rrezikon që prej vitit të ardhshëm të mos përfaqësohet në institucionin më të lartë profesional të arsimit të lartë në Maqedoni, në Këshillin për Akreditim dhe Evoluim (KAE). Mungesa e përfaqësuesit të USHT-së në këtë institucion padyshim se do të jetë një handikap për logjistikën e zhvillimit të mëtejshëm të tij, nëse kemi parasysh faktin se sipas ligjeve në fuqi, por edhe sipas ndryshimeve të paralajmëruara, KAE është “alfa dhe omega” e rregullimit dhe orientimit të veprimtarisë universitare në përgjithësi, shkruan Gazeta Koha. Por, përveç kësaj – mungesa e përfaqësuesit të USHT-së në këtë institucion kaq të rëndësishëm do ta mbajë USHT-në larg krijimit të politikave zhvillimore të arsimit të lartë, pasi nuk do të ketë qasje as në sjelljen e vendimeve për (mos)akreditimin e programeve studimore të universiteteve dhe as në krijimin e instrumenteve për evoluimin dhe kontrollin e cilësisë së studimeve.

Arsyeja e vetme që prej vitit 2015 të ardhshëm do ti pamundësojë USHT-së prezencën në KAE është pozicionimi në vendin e 7-të të ranglistës së fundit të Shangait për universitetet e Maqedonisë. Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi ka paralajmëruar se së shpejti do të ndodhin ndryshime në konfigurimin e KAE-së. “Do të ulet ndjeshëm numri i anëtarëve të këtij Këshilli”, si dhe “do të ketë mënyrë tjetër të caktimit të anëtarëve të tij”. KAE, sikurse paralajmëron ministri Ademi, do të ketë nëntë dhe jo 23 anëtarë, sikurse tani, pasi konsideron që përbërja më këtë numër të lartë anëtarësh e ka kthyer Këshillin në një institucion jo efikas. Ministri ka folur në detaje edhe për anëtarët e KAE-së e për të cilët tha se gjashtë prej tyre do të vijnë nga universitetet publike që janë në tre vendet e para të ranglistës së Shangait, një nga universitetet private, kuptohet nga ai që është pozicionuar më lartë në listë, kurse dy anëtarët e fundit do të emërohen nga politika. “Nuk është vendosur ende nëse këto dy anëtarë do ti caktojë Qeveria apo Parlamenti.

Është çështje që do ta vendosim para se t’i paraqesim propozimet për ndryshime ligjore, por është e sigurt se dy nga nëntë anëtarët e KAE-së do të jenë nga jashtë universiteteve”, shprehet ministri. Në USHT nuk ishin në gjendje të komentojnë se sa këta ndryshime të paralajmëruar do të jenë në disfavorin e tyre. “Nuk kam informacion për këso ndryshimesh. Po i dëgjoj sot për herë të parë prej jush”, u përgjigj Fehari Ramadani, prorektor për çështje arsimore në USHT.

Në shkurt të këtij viti, MASH shpalli rezultatet nga rangimi i institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni për vitin 2013-2014. Lista, sikurse dihet, është përpiluar nga qendra “Xhoa Tong” e Universitetit të Shangait me kërkesë të Ministrisë. Në rangim janë përfshirë 20 institucione të larta arsimore, ndërsa për këtë qëllim janë shfrytëzuar 21 indikatorë, të cilat thuhet se kanë caktuar performancën e tyre akademike dhe të konkurrencës. Indikatorët kryesor u përkasin aspekteve kyçe të punës, siç janë mësimi, hulumtimi dhe dimensioni social. Në tre vendet e para janë renditur Universiteti i Shkupit, Universiteti i Shtipit dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. UEJL ka shumë të ngjarë që të ketë përfaqësues të vetin në KAE në emër të universiteteve private, pasi ka një status të ndërmjetëm mes privates dhe publikes, pra “universitet privat me karakter publik joprofitabil”.

Mirëpo, edhe nëse cakton anëtarin në emër të universiteteve private, përsëri USHT gjendet shumë poshtë për të ardhur në rend të emërimit. Radha mund ti lëshohet eventualisht Universitetit të Manastirit, i cili gjendet në pozitën e pestë. Në vendin e katërt gjendet Universiteti i Ohrit, që gjithashtu ka status të njëjtë me UEJL-në. Janë minimale gjasat që UEJL të trajtohet në kontekst të KAE-s si institucion publik, por nëse ndodhë një gjë e tillë – vendi për anëtarin e shtatë, të universiteteve private do ti takojë Universiteti “Kolegji Amerikan” në Shkup, i cili është në pozitën e 6 të ranglistës së universiteteve në Maqedoni. Pra, në çdo rast – UEJL do të ketë një anëtar, dy do ti ketë Universiteti i Shtipit, ndërsa tre Universiteti i Shkupit. Anëtari i shtatë do të ndahet mes Universitetit të Manastirit dhe Universitetit “Kolegji Amerikan” në Shkup. Deri tani, anëtarët e KAE-s zgjidheshin si vijon: nëntë anëtar nga radhët e profesorëve të zgjedhur nga Konferenca Ndëruniversitare (në mënyre adekuate me përfaqësimin e universiteteve sipas pjesëmarrjes së tyre në numrin e përgjithshëm të studentëve që janë regjistruar për herë të parë), dy anëtarë nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, një anëtar nga Trupi Reprezentues i Punëdhënësve, dy anëtarë nga Parlamenti Ndëruniversitar i Studentëve, kurse nëntë anëtarë nga Qeveria.

Të paktën, gjashtë prej këtyre të fundit, sipas nenit 70 të Ligjit për arsim të lartë, Qeveria duhet ti zgjedhë nga radhët e profesorëve të institucioneve të arsimit të lartë. “Anëtarë të Këshillit nuk mund të jenë personat e zgjedhur për rektor dhe prorektor të universitetit, dekan fakulteti, përkatësisht drejtor i shkollës së lartë profesionale apo drejtor i institucionit shkencor që realizon veprimtari të arsimit të lartë”, thuhet në po atë nen, ndërsa sqarohet se anëtar i Këshillit për Akreditim dhe Evoluim mund të jetë vetëm personi që i plotëson kushtet për të qenë mentor i punimeve të doktoraturës. Kjo është shkalla më e lartë e përgatitjes akademike dhe profesionale të një profesori universitar. /Koha/

Lajme të ngjashme

Back to top button